15 Qershor, 2023 - 3:44 pm
Jeta Zymberi
Në skenën e muzikës klasike, një emër që po shkëlqen çdo ditë e më shumë është ai i sopranos Adelina Paloja. Kjo artiste e mrekullueshme ka arritur të krijojë një ndikim të vërtetë në audiencë me zërin e saj të butë, të pastër dhe emocionues. Talenti i saj kësaj radhe po e dërgon për interpretim në dy vende të shquara – në Vatikan dhe Pantheon, në monumentin antik kult të Romës, shkruan KultPlus.
Si një soprano e njohur në skenën shqiptare, Adelina Paloja është një shembull i rrallë i pasionit, talentit dhe përkushtimit për muzikën. Zëri i saj që ngjall magji është i pajtueshëm me zërin e engjëjve, dhe ajo ka arritur të përcjellë emocionet më të thella nëpërmjet interpretimit të saj të mrekullueshëm.
Tashmë, një sukses i ri po shënohet në karrierën e artistes. Si rrjedhojë e interpretimit të saj në celebrimin e 15-të vjetorit të Pavarësisë së Kosovës me meshën “JOSEPH VELLA, MESSA PER LA PACE KOSOVA HYLAND PEACE MASS” erdhi edhe bashkëpunimi në Romë – Itali me ftesë të vet Hyland pasi dëgjoi interpretimin e Meshës nga sopranoja kosovare.
Përveç interpretimit në Vatikan, Paloja do të performojë edhe në monumentin antik kult të Romës, duke u vendosur mes thellësive të historisë dhe mrekullive të artit të lashtë. Në këtë ambient të veçantë, zëri i saj do të përjetësohet në një bashkëpunim të pazakontë mes kohës së sotme dhe të kaluarës së largët.
“Është absolutisht një ëndërr që të jetësohet interpretimi në vendin më prestigjioz në Itali dhe botë, më saktë në Vatikan dhe në Pantheon – Romë, dy vendet me histori të jashtëzakonshme dhe të një rëndësie të veçantë për botën! Mund të them që nuk kishte si të kurorëzohej më mirë kalendari artistik”, shprehet Paloja për KultPlus.
Sopranoja gjithashtu ka thënë se ky interpretim do i dedikohet imazhit të Kosovës në Vatikan, Romë dhe në botë andaj edhe do jetë i mbështetur nga “Albanian Diaspora Business Network”.
Në këtë paraqitje, Adelina do të interpretoj edhe premierën e veprës “Kosova Hope” të Hajrullah Sylës.
Koncerti do dirigjohet nga Michele Manganelli, soliste vokal, në organo Roberto Marini si dhe International Opera Choir shoqëruar nga Orkestra “Orchestra Sinfonica Romana” Direttore Michele Manganelli.
Përtej pjesës artistike, Adelina ka shpalosur për KultPlus edhe peshën që bart ky koncert.
“Përgjegjësia është edhe më me peshë pasi në Pantheon do jem artistja e parë shqiptare në histori që do interpretoj. Pantheon në Romë si një destinacion për çdokënd jo vetëm për turistët dhe regjisorët por edhe për arkitektët, dizajnerët dhe artistët nga e gjithë bota është pasuri dhe i mbrojtur. Legjendat thonë se ishte pikërisht vendi ku themeluesi i Romës, Romulus, u ngjit në parajsë ku edhe sot mbetet akoma i hapur për të gjithë si objekti më i vjetër në botë që është ende i hapur përgjatë ditëve të sotme”, tregon artistja.
Shekuj më vonë, arkitektët neoklasikë do t’i referoheshin kombinimit të portikut dhe kupolës së Panteonit për të mbushur ndërtesat e tyre me të njëjtat vlera, nga Kapitoli i SHBA-së në Uashington, DC., deri te Somerset House në Londër, ku në plan është që edhe ky koncert të shfaqet në USA dhe në Britani të Madhe.
“Jam e bindur që do mirëpritet kjo premierë e veprës në Itali, me prezencë të aktereve kyç nga jeta kulturore, diplomatike, politike dhe religjioze duke përfshirë prezencën e Kardinalit të Romës dhe kardinalëve të tjerë të Italisë, përfaqësuesve nga Shtetet e ndryshme etj.”
Ky vit ka qenë jashtëzakonisht i frytshëm për Palojën e cila tash po i shijon frytet e karrierës mbi 27 vjeçare.
Prezantimet e sopranos kosovare në Itali, Milano me Orkestra Simfonike në Teatro, Koncerti dedikuar 100 Vjetorit jubilar të dives Maria Callas, koncertimet në Zagreb, Kroaci dhe në rajon e Evropë, janë vlerësuar lartë nga kritika dhe të pranishmit. Por puna për të vazhdon me projekte të reja, me angazhim të përditshëm në kontroll rigoroz të teknikës së të kënduarit e me detaje të stërholluara muzikaliteti e studimi të literaturës nga opusi i kompozitorëve për të qenë gjithherë në formë optimale që ti dhurojë audiencës interpretime të nivelit të lartë. / KultPlus.com