16 Qershor, 2023 - 7:00 pm
Në galerinë FAB është çelur ekspozita e Atelierit të Multimedias me titull “8 h, 59 m, 27 s”.
Ekspozita mban vepra të 26 studentëve të Fakultetit të Arteve të Bukura, punimet e të cilëve janë kuruar nga prof. Vladimir Myrtezai, Lek. Altin Lika, Edison Çeraj dhe Florian Haxhihyseni.
Kjo është ekspozita e radhës e Atelierit të Multimedias, si përherë me punë të zgjedhura të vitit të fundit akademik. Studentët kanë prekur pothuajse çdo medium si video, instalacion, fotografi, pikturë, animacion dhe performancë. Punimet janë rezultat i i temave të dhëna nga pedagogët përgjatë dy semestrave, pa harruar edhe ndonjë punim nga puna e pavarur e studentëve.
Për sa i takon titullit të veçantë, ai i përket punës së një studenteje. Kuratorëve, ky titull iu duk bartës i një simbioze që bën bashkë disa elemente: kohën, numrat, pritjen, orën dhe trysninë e saj.
“Këto janë parë si sfida të cilat kërkojnë vazhdimisht marrjen e një pozicioni apo qëndrimi nga ana jonë, aq më tepër kur edhe zhvillimet e artit sot priren dukshëm të hedhin dritë mbi sfidat e ndryshme nëpër të cilat na duhet të kalojmë dhe t’i tejkalojmë. Sfidat mund të sfidohen”, u shpreh një prej kuratorëve të ekspozitës, Edison Çeraj./atsh/KultPlus.com