Dyfishohen shifrat, 50 mijë vizitorë në Kalanë e Gjirokastrës

18 Qershor, 2023 - 9:00 am

Kalaja e Gjirokastrës ka arritur një numër të lartë vizitorësh për periudhën nga 1 janari deri më 15 qershor 2023.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër, thotë se vizitat turistike në Kalanë e Gjirokastrës për këtë periudhë kanë ardhur gjithnjë në rritje, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Madje, rritja kësaj here llogaritet në 122,6%.

50 mijë vizitorë janë regjistruar gjatë kësaj periudhe ose 27541 vizitorë më shumë se gjatë të njëjtës periudhë në vitin 2022. Një vit më parë nga 1 janari-15 qershor u regjistruan rreth 22 mijë vizitorë vendas e të huaj.

Kalaja mesjetare e Gjirokastrës është nga më të mëdhatë në rajonin e Ballkanit. Për herë të parë Gjirokastra dhe kalaja përmenden në 1336. Kalaja ka formën e një anijeje të madhe të gurtë, e cila shtrihet në një hapësirë prej 335 metrash, mbi kodër, nga ku mund të shihet qyteti./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme