20 Qershor, 2023 - 11:59 am
Nën atmosferën e Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, që pritet të nisë të shtunën në datë 24 qershor, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, publikoi në rrjetet sociale një album fotosh të bukura nga Festivali Folklorik i vitit 1968.
Fotot janë shkëputur nga filmi “Këngë e valle nga gurra popullore”, me regji të Gëzim Erebarës.
“Vallja devolliçe e djemve” dhe “Kcimi me tepsi” i Tropojës janë 2 nga perlat e trashëgimisë sonë jomateriale që transmetohen brez pas brezi së bashku me kostumet e mrekullueshme kombëtare që janë vlera unikale të traditës sonë.
Ndërsa, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, shpërndau më herët një video me valltarë të trevave të ndryshme shqiptare dhe shkroi se, “edhe katër ditë deri në hapjen e Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës. Të 12 qarqet janë gati. Edhe Gjirokastra po bën përgatitjet e fundit”.
Në përmbyllje të postimit të saj, ministrja Margariti ftoi të gjithë artdashësit duke shkruar se, “24 qershor-1 korrik, të gjithë në kalanë e Argjirosë!” /atsh / KultPlus.com