21 Qershor, 2023 - 12:24 pm
Në datën e çlirimit të Podujevës u hap ekspozita “24 vjet”, aq sa po festonte Podujeva vite çlirimi. Ekspozitën e çeli Shpejtim Bulliqi, kryetar i komunës së Podujevës.
Nga Agron Gërguri
Pikturat e Dijes nuk ishin përshkushtim stereotip për luftën, çlirimin porse ajo kishte zgjedhur 24 piktura nga të cilat përvijon çlirimi i shpirtit përmes artngjyrës dhe arti bëhet mënyrë komunikimi përtej politikës dhe dallimeve çfarëdo qofshin ato duke krijuar klimën e shëndetshme e të dëshiruar në botën e trazuar njerëzore.
Artdashësit, strukturat komunale dhe artistët patën një moment reflektimi për të bukuren, për artin si frekuenca më pajtuese e komunikimit. Pafundësia e kombinimit të ngjyrave me të cilat piktorja kishte krijuar peizazhe kryesisht ekspresive të cilat jo veç me syrin por komunikonin thellësisht me qenien e audiencë,s vizitorë të ekspozitës përmes ngjyrave të vendosura në pëlhurë kryesisht me tekniken akrilik me tema të ndryshme.
Peizazhet që prodhojnë ndjenja të mira
Duke i shikuar pikturat me emërtime si kode të leximit të pikturave e që kryesisht ishin peizazhe, por ku kishte edhe natyra të thellësisë së detit refleksione dhe ndonjë gjysmëakt që shpërfaqte sensin e gruas, bukurinë, brishtësinë dhe joshjen. Çiltërsia dhe bukuria femërore me ndjesi te theksuara te ngjitej si mesazh dhe kur plotësohej mozaiku i punimeve dhe rrëfimi për 24 vite lirie nga një jetë bardhë e zi tashmë ngjyrat po i japin kuptim shpirtnor lirisë pikërisht aty ky synon te prek arti, jetën ta bëjë me fytyrë njerëzore dhe që me sukses kishte realizuar piktorja Dije Bllaca e cila frymën e saj kreative ua injekton edhe nxënësve ku punon si mësimdhënëse dhe si recensente e librave shkollor të artit.
Me peizazhe natyre që bëhen peizazhe shpirti si ndjenjë e cila të përmbush me plotënin e ngjyrave. Diçka që shkon përtej horizontit të shikimit deri atje ku sheh e kënaqësinë e përjetimit që të ofron arti i pikturës.
Peizazhi i oqeanit ta jep këtë pafundësi të mundësive dhe pasurive të jetës. Njohja me fuqinë e oqeanit si një infinit i imagjinatës për mundësit shprehëse përmes pikturës
Pikturat “e kaltërta” , “Horizont”, Peizazh i kuq”, “Reflektim” , e të tjera e reprezentonin Dijen piktore të realizuar e cila di të “manipuloj” me ngjyrat kreative duke ju dhënë kuptime të ndryshme domethënëse që shpesh nuk kanë nevojë të deshifrohen thjeshtë kënaqesh duke i shikua.
Hapësira e përmbushur me ngjyra ku dominojnë e kaltërta, nuancat e të kuqes, e verdha, projeksioni i bardhësisë me plotë kontraste dhe harmoni janë veçantia e shprehjes artistike të Dijes të cilat ajo i formulon si mesazhe çlirues të ndjenjave dhe njëkohësisht prodhon emocione të mira në raport me perspektiven e jetës përkatësisht dëshirës për një jetë ndryshe ku shpirti i artistit verifikohet si promotor i ndryshimeve pozitive duke e kuptimësuar lirinë.
Çmimet për punën artistike
Piktorja Dije Bllaca për realizimet e saja disa here është vlerësuar me çmime prestigjioze: çmimi “Për punë dhe kreativitet artistik në lëmin e pikturës”* Ferizaj 2007, çmimi “ Draudacum për pikturë”, Gostivar, Maqedonia e Veriut, 2013. Ka marrë pjesë në shumë ekspozita kolektive, individuale, koloni në Gjermani, Shqipëri, Argjentinë, Turqi e vende tjera.
Kuratorja Vlora Demiri në fjalën e saj prezantuese e tha një të vërtetë që duhet përligjur se Arti nuk është profesion dhe se Artisti nuk është profesionist është thjeshtë Artist, prodhimtar i ndjenjave të mira, siç është Dije Bllaca .
Urdhëroni në Galerinë e Arteve në Podujevë në Ekspozitën personale të Dije Bllacës , të cilën e ndihmoj Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport komuna e Podujevës. / KultPlus.com