28 Qershor, 2023 - 9:31 am
Ujëvara e Bogovës, monument natyre në Parkun Kombëtar të Tomorit, gjithmonë e më shumë po renditet si një ndër atraksionet më të vizituara, nga turistët vendas dhe të huaj.
Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ndau momente nga vizita e turistëve të huaj në këtë ujëvarë gjatë fundjavës që lamë.
“Në këto ditë të nxehta vere Parku Kombëtar “Mali i Tomorit” ofron një shumëllojshmëri mundësish për t’u vizituar dhe pse jo për t’u freskuar”, thekson AKZM.
Duhen afërsisht 45 minuta nga Berati për të zbritur në ujëvarë e në burimin natyror të ujëvarës. Ndërkohë, rrugës mund të ndaloni në disa fshatra shumë piktoreskë që shtrihen fare afër rrugës. Fshatrat e këtyre zonave janë shumë të njohur për kultivimin e frutave dhe të rrushit.
Në anë të Osumit mund të shijoni një panoramë që nuk do ta harroni lehtë.
Ujëvara e Bogovës është e lartë 20 metra bie në një pishinë të kaltër e të thellë 12 metra. Ujërat e kristalta, zhurma tunduese e ujëvarës që bie pareshtur nga shpatet, e gjelbërimi që e rrethon, si dhe prania e akullit e bëjnë atë të jashtëzakonshme dhe ndjellëse për turistët./ATSH/KultPlus.com