2 Korrik, 2023 - 2:32 pm
Me një dasmë të madhe, me krushq nga Shqipëria e Kosova u mbyll nata e fundit e Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, që u zhvillua nga 24 qershori deri më 1 korrik.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ndau në rrjetet sociale momente nga nata e fundit e festivalit, që mblodhi më shumë se 1200 artistë popullorë nga 12 qarqet e vendit, ansamblet shqiptare nga Kosova, Mali i zi, Maqedoni e Veriut, Greqia, SHBA, Kanada, Australi, Belgjikë, Zvicër, Gjermani dhe nga gjithë diaspora kudo në botê.
“Ishim me mijëra, shqiptarë e turistë të huaj që kënduam e kërcyem deri vonë nën ritmet e muzikës popullore, me farfurinë e kostumeve dhe dritave të një skenografie që i dha edhe më shumë bukuri këtij festivali. Për t’u mbyllur me fishekzjarre gëzimi dhe falënderimi për më shumë se 1200 artistë që u ngjitën në skenë dhe stafin e palodhur që organizoi edicionin XI të Festivalit Folklorik Kombëtar Gjirokastër 2023”, tha Margariti.
Për më shumë se një javë, Gjirokastra ishte qyteti më turistik dhe kulturor, i hapur për të gjithë grupmoshat. Ai mirëpriti çdo artdashës, vizitor në kalanë historike dhe përgjatë gjithë qytetit përmes aktiviteteve të shumta dhe muzikës së Festivalit Folklorik Kombëtar.
Në Gjirokastrën e bukur dhe turistike, artistë nga i gjithë vendi, diaspora e më gjerë performuan përgjatë 8 netëve në këtë qytet. Risia e këtij festivali ishte numri i madh i të rinjve që interpretuan në Festivalin Folklorik Kombëtar në Gjirokastër duke dëshmuar se sa brezat e rinj e duan dhe e përqafojnë muzikën folklorike./atsh/KultPlus.com