16 Korrik, 2023 - 10:30 am
RLIOF është duke shpalosë programin e edicionit të sivjetmë, dhe në kuadër të këtij edicioni do të prezantohet edhe një ekspozitë që ka për qëllim ruajtjen e natyrës, shkruan KultPlus.
Kjo ekspozitë do të prezantohet në Galerinë e Fakultetit të Arteve dhe njoftimin e plotë mbi këtë ekspozitë mund ta lexoni më poshtë.
Rrnofsh sa malet!
Ç’të mbjellësh do të korrësh. “Kultura jonë e përçmon botën.” shkruan Michel Serres duke ju drejtuar qytetërimit perëndimor në veprën e tij të mirënjohur “Kontrata Natyrore”. Në të vërtetë, për shekuj me rradhë, natyra është përdorur si një burim i pashtershëm përfitimi ose si pronë për tu zaptuar dhe për tu këmbyer pastaj sërisht për përfitime. Pasojat nga kjo, shterimi i burimeve të ujit, tokat e ndotura, specie të florës dhe faunës që po zhduken, formësojnë jetën tonë. Bimët dhe kafshët kanë mbetur pothuajse pa frymë në hapësirat urbane të Kosovës. Shumica e peizazheve të bukura të natyrës së egër, janë të ndotura nga mbetjet plastike dhe mbeturinat. Po në këto territore, ka një sërë bimësh endemike si, Solenantë Krasniqi (solenanthus krasniqii) ose çaji i malit (sideritis scardica), të cilat janë në rrezik zhdukje për shkak të veprimtarisë njerëzore dhe zjarreve, përpara se për to, të mblidhen mjaftueshëm të dhëna për database-t botërore.
Çfarë mund të propozojnë praktikat artistike për të ndryshuar këtë prespektivë të zymtë? Imagjinata e nxitur nga pikturat e peizazhit si gjini, mund të na frymëzojë të lidhemi me gjallesat përtej njerëzores nga të cilat rrethohemi dhe të mos nënçmojmë rëndësinë e tyre. Që në lashtësi, pikturat e peizazhit kanë ndikuar fort në mënyrën se si njerëzit vëzhgojnë, lidhen, përvetësojnë dhe imagjinojnë tokën. Qasjet e ndryshme të peizazhit Kosovar, të paraqitura në “Rrnofsh sa malet”, na zbulojnë përjetime herë të grysura e herë shumëngjyrëshe, të provokuara nga këto pamje. Shumë male të Kosovës vazhdojnë të magjepsin artistë të brezave të ndryshëm. Por mbi të gjitha, këto vizione artistike nxjerrin në pah atë çfarë duhet të kultivohet në të ardhmen, një kulturë që vlerëson bashkëjetesën e botës me të gjitha të mirat e saj. Prandaj, ekspozita jonë e Festivalit RLIOF, me tematikën “Opera për Liri” – duke mbështetur betejën e mbrojtjes së mjedisit krahas zgjidhjes së shumë konflikteve njerëzore – vjen me uratën, Rrnofsh sa malet!/ KultPlus.com