16 Korrik, 2023 - 11:30 am
Stamboll, Korrik 1891. Mëngjes me fllad të freskët që vinte nga Bosfori aty pranë. Një grup vajzash zbritën shkallëve të konviktit të “Robert College”, të veshura me përparëse të zeza e jaka të bardha, nëpër një rrugicë të ngushtë të shtruar me kalldrëm me gurë të zes. Në të dy anët e rrugicës, trëndafilat shumë ngjyrësh stolisnin atë parajsë të vogël, për të cilën kujdeseshin këto vajza që ecnin qetë si flutura, drejt godinës së shkollës impozante të tyre. Dalloheshin qartë shkronjat latine “ROBERT COLLEGE”. Bisedonin me zë të ulët e hera herës përqafonin njëra tjetrën. Drejtoria e kolegjit, organizonte një takim lamtumire me këto nxënëse, që mbaruan këtë kolegj amerikan, e do të shpërndaheshin në vendet e tyre.
Midis tyre dallohej një vashë me trup mesatar e bëshme, fytyrëqeshur, me hundë si qiri, syzezë e vetullzezë, me flokë të rregulluara pas kokës si topuz. Herë herë shpejtonte hapat para shoqeve si thëllëzë, e pastaj ndalonte duke kthyer fytyrën nga shoqet e ashtu duke buzëqeshur, dukej si sorkadhe mali. Fytyra i shndriste nga dielli korrikut që ngrihej mbi qiellin blu e me atë pamje, dukej si peri e zbritur nga parajsa e zotit. Nuk mbante në duar byzylyk, as varëse floriri a argjendi, vetëm dy vathë të vegjël me gurë rubini ngjyrë blu, ashtu si të gjitha shoqet e sajë. Ishte shqiptarja Sevasti Qiriazi.
Vajzat ju afruan shkollës dhe emocionet u shtuan. Drejtori kolegjit dhe pedagogët, kishin dalë në oborr e bisedonin ulët me njeri tjetrin. Vajzat lexonin në fytyrat e tyre brengën e ndarjes dhe filluan të përloten. Do të ndaheshin përjetë nga ata edukatore e edukatorë të dashura, që katër vjet luftonin krahë për krahë, në luftën e vështirë të dijes e do të shkonin në vise të largëta të perandorisë, për mos u parë më me njeri-tjetrin. Por drejtori Eliot Spencer, duke parë dëshpërimin e të gjithëve e duke e mposhtur atë, tha me buzëqeshje:
-“Afrohuni t’u përqafojmë pëllumbesha’ se ju na keni nderuar ne dhe ne prandaj ju duam shumë”. Vajzat e trupi pedagogjik u bënë një dhe përqafoheshin siç përqafohen fëmijët me prindërit e tyre të dashur. Ashtu së bashku u futën në sallën e madhe të shfaqjeve teatrale, që ishte përgatitur për festë nga drejtoria e kolegjit. Zëvendësia e drejtorit, Anna Triks, u ngjit në skenën e teatrit me perde mëndafshi të kuqe, që ndrinin nga llambadarët e vendosur në të dy anët. Me emocion ju drejtua të gjithë pjesëmarrësve me këto fjalë: – “Të dashura vajza! Të nderuar kolegë! Jam shumë e emocionuar, po do tu flas me fjalë zemre. Fjalimin e lashë në çantë, se mu duk i thatë me fjalët që zgjodha për ju. Ju meritoni shumë më shumë respekt e mirënjohje nxënëse e pedagogë. Lum si ju moj vajza, që mbaruat të gjitha suksesshëm kolegjin e na nderuat ne, familjet tuaja e vendet tuaj. Lum si ne për ju të dashura nxënëse. Ne, pedagoget tuaj ndjejmë krenari që puna jonë me ju, arriti këtë fitore si bekim nga zoti. Ju urojmë njëzëri shëndet e suksese në vendet tuaja për përhapjen e diturisë.
Ju tashmë jeni të lira për të bërë ç’do gjë, që ju pëlqen se kini zgjuarsinë për të dëgjuar, gjykimin për të dalluar, shpirtin për të ndjerë, ndërgjegjen për të peshuar çdo gjë. Ju tashmë e dini se çdo e keqe është e ndaluar. Veset e veprimet e padrejta, mos besnikëritë, dinakëritë janë të botës së ndyrë. Mos i afroni ato. Largojini nga ju e familjarët tuaj dhe pastroni shoqërinë e kombeve tuaj prej tyre. Jini misionare tani. Zoti qoftë me ju”!
Emocione pafund për të gjithë. Sevastia jonë shikonte turbull mësuesen e gjuhës angleze, që zbriste shkallët e skenës, sepse sytë i kisht plot me lot. Vazhdoi koktej rreth dy orë e drejtori Spencer, tha se; në orën 6 mbas dite do të bëhej në atë sallë ndarja e diplomave.
Sevastia mori liri-dalje nga konvikti e doli në stacionin e pajtoneve. Vendosi të takonte në Ministrinë e arsimit, Naim Beun. Priti pak në stacion, sa erdhi pajtoni i xha Jasharit nga Erindi Gjirokastrës. Vetëm me atë ajo shkonte për vizitë në shtëpinë e Naim Beut. Hipi në pajton dhe kërkoi që xha Jashari, ta zbriste tek Ministria e Arsimit, për të takuar Naim Beun, pranë Topkapi-sarait. Ecën rrugës buzë detit, deri afër xhamisë Sulltan Ahmet e Ajo Sofisë.
Aty rruga qe bllokuar. Xha Jashari i tha se; Sulltani Hamidi II-të, vizitonte varrin e së ëmes Tirimuje. Varri i saj nga pajtoni, dukej si një vazo reçeli e madhe prej porcelani, me ca viza të ndryshme horizontale. Xha Jashari i tha: – “Moj vajzë xhani. Këta mbretërit e vezirët, kur dalën në krye, u duket vetja e madhe e bota e vogël. Vjedhin e vrasin fukaranë, por kur u vjen fundi, vdekja, bëhen besimtare. Po është vonë se atëhere, populli të humbet nam e nishan. Ti do rrosh e do më kujtosh”.
Xha Jashari ndërroi drejtim dhe në një rrugicë të dytë, arriti në Ministrinë e Arsimit. Priti sa doli Naim Beu në oborrin gjithë lule e pemë zbukuruese e u largua për të ardhur prap pas një ore aty.
Si u takua me shumë mall me mentorin e saj, Naim Beun, shkuan në një kafene aty afër dhe filluan bisedën përzemërsisht, si babai me bijën. Si e falenderoi Naimin, për gjithçka kishte bërë për futjen në atë kolegj e, kujdesin e veçantë, gjatë viteve për te Sevastia e ftoi që si prind ai të merrte pjesë në ceremoninë e marrjes së diplomës. Por Naimi, si e falenderoi, i dha lajmin e gëzuar që ai do të vinte aty si i ftuar, përfaqësueses i Ministrisë së Arsimit.
Sevastia e njoftoi se së bashku me vëllanë e sajë, Gjerasimin, kishin vendosur që në Korçë, të hapnin “Shkollën e Vashave”. Naimi i entuziazmuar i tha: “Motër, punë më të mirë e më të vyer, nuk mund të bësh për Shqipërinë e mjerë, se sa kini vendosur të bëni bashkë me vëllanë, për emancipimin e grave të vendit tonë të shkretë. Detyrat e tua tani fillojnë dhe po të jeshë besnike, këmbëngulëse dhe e vullnetshme do arrish të kryesh vepra të mëdha për kombin. (Sevasti Qiriazi, kujtime për Naim Beun)
Sevastia i tha Naimit, se dëshironte shumë të vizitonte në burg Koto Hoxhin e madh. Mendueshëm për moshën e sajë të re, Naimi i tha: – “Kjo tregon se je xhevahir për kombin, por duhet ta mendojmë mirë”.
– “E mendova gjerë e gjatë gjithë këto kohë, Naim Bej! Do të vishem si djalë e do të shkoj”.
– “Të bekoftë zoti moj vajzë! Të shkosh, të shkosh…”!
Pas një ore takimi të këndshëm me Naimin, Sevastia shkoi përsëri në konvikt me pajtonin e xha Jasharit. Në orën e caktuar për shpërndarjen e diplomave, mbërriti në kohë Naim Beu. Sevastia u lumturua sa e pa dhe zemra i rrihte fort. Kishte fatin se do të mirte nga ajo dorë e bekuar që drejtonte penën që shkroi ato mijëra vargje në gjuhën e ëmbël shqipe diplomën, e do ta bënte krenare gjithë jetën e sajë, në shërbim të kombit.
Pas ceremonisë diplomave, ajo shkoi në shtëpinë e Naimit ku do të kalonte një darkë, si në shtëpinë e sajë, që e kujtonte gjithë jetën. Të nesërmen shkoi tek shoqet e pedagogët, ku u nda përfundimisht për të vazhduar detyrën e misionares së arsimit shqiptar.
Si e siguroi Naimi lejen nga drejtori burgut, (një shqiptar nga Kosova) dhe mori garancinë e tijë, shqiptarka Sevasti Qiriazi, shkoi në burgun Jedi-Kule të katër bodrumeve. Ishte veshur si djalë e festën e kishte ngjeshur në kokë, që i mbulonte të gjithë flokët. Po, si e gjeti martirin e pavdekshëm Koto Hoxhi heroina jonë: “Një vrimë e ndyrë. Një brez i dritës nga një shteg lart më ndihmoi të dalloj një figurë të varfër. Mjerisht nuk mund të mendoja në se ai qe njeri. Një pllakë prej guri që ka shërbyer për shtrat, e një grumbull leckash ku qe ulur. Ky qe Koto! E gjithë figura e tijë intelektuale, qe e shuar. Unë pyeta veten: Është e mundur kjo që në atë mjerim e ftohtësi trupi të jetojë shpirti i Kotos, i të madhit udhërrëfyes shqiptar?
“-Tu ngjat jeta Koto”! Unë përfundimisht guxova të mërmëritjeje. Në mekje, por me forcë, i dëgjova zërin që ai pyeti:
‘Kush është ai që më flet mua?! Ai mund të jetë zë prej qielli, dërguar prej zotit, të më flas ndonjë fjalë në zemrën time të plagosur’! Ai kishte fytyrë të mjerë me të cilën unë u preka, sa që rrëketë e nxehta me shkuan poshtë mjekrës sime. Flokët e tije qenë të gjata. Mjekra e tijë e gjatë, i arrinte poshtë në mes. Rrobat e tije ishin vetëm lecka. Unë i fola me zë gati të bllokuar:
– Unë erdha, i dashur at, të të sjell ty fjalën për kurajo e të të them ty, se edhe pse ata ju kanë hedhur ju për të vuajtur këtë dënim mizor, fara që ju keni mbjellë po jep frute të mirë. Shpirti juaj jeton ne zemrën e popullit tënd’. Figura e rreckosur përgjigjet: Po! Ata kanë lidhur me zinxhirë trupin tim, por shpirti im është i lire. Ai është i lirë e s’ka torturë që mund të më pengojë që të bërtasë. Jo! Shqipëria nuk do të prishet! Ajo do të jetë e bashkuar, e pavarur dhe e gëzuar. ‘Koto – me tha Sulltani, a nuk e di ti se koka jote është në dorën time’
-Po madhëri, Koka ime është në duar të Madhërisë Tuaj, por shpirti i takon perëndisë, mirëpo nderi është imi’. – ju gjegja unë. Po si erdhe e me gjete këtu moj lule Shqipërie, moj vitore pëllumbeshë! Me dhe forcë e me dhe shpresë. Më gëzove shume o ylli mëngjezit që sjell dritën. Ndenji pake dhe tha vargjet:
‘O ju djem, do më kujtoni kur të ngjallet liria!
Po ç’të be a unë i mjeri, që mu errën sytë e mia’!
Humba sytë në këtë bodrum, moj engjëllore dhe mendjen e kam tek Shqipëria, tek Lunxhëria, nga Labova e Kryqit në Lekël’.
U ndava me lotë e dëshpërim nga ai martir i kombit, me betim ne zemër se edhe unë sa te kisha frymën gjallë do ta shkrija jetën për Shqipërinë”
“Mësuesi i Popullit”, Thoma Papapano, këmbëngulte se; për këtë takim historik te “Mësueses së Popullit”, Sevasti Qiriazi me “Mësuesin e Popullit”, Koto Hoxhi, shkon kënga e më poshtme:
Pse s’dite për veten tende?
ǔhaber me ke sjell, moj vite?
Po ato dite te gëzuara, por edhe te trishtuara Sevastia kthehet ne Shqipëri dhe ne vjeshtën e atij viti, ve ne zbatim premtimin qe i dha Koto Hoxhit e Naim Frasherit, për hapjen e shkollës se vashave shqiptare ne Korçë, me të vëllanë Gjerasimin e me vonë, me motrën e saje Parashqevi Qiriazi.
Ajo hartoi dhe botoi një gramatike shqipe për vashat. Mori pjese në vitin 1908, ne Kongresin e pare e te dyte te Manastirit, per alfabetin shqip me motren e saje Parashqevine e, vellain Gjergj Qiriazin, ne kongresin e Elbasanit, kur u themelua shkolla “Normale”, me drejtor Luigj Gurakuqin, më 1909-ën.
Pastaj po ate vit me burrin e saje, gazetarin e shkrimtarin Kristo Dako dhe motren Parashqevi, shkoi ne Amerike. Aty hapi shkolla per deget e “Vatres” me veprimtare vatrane per te mesuar shqiptare qe vershuan aty si emigrante ekonomike, sidomos pas Pavaresise shqiptare.
Kristo Dakua, u aktivizua ne shoqerine “Vatra”, sa nje kohe u be edhe kryetar i saje, e botonte ne gazeten “Dielli”, artikuj me fryme patriotike. Sevastia me Parashqevine, formuan gazeten (dy javore) “Ylli Mengjezit” e organizuan organizaten e grave shqiptare, per tu emancipuar e mesuar ne shkollat e degeve te “Vatres”.
Kristo Dakua, themeloi Partine Politike Shqiptare, me 5000 antare, e cila lobonte per te drejtat shqiptare, sepse ne konferencen e Parisit, atdheu rrezikonte coptimin e metejshem. Jane lapidare fjalet e tije, ne Promemorjen derguar presidentit amerikan Ëillson, me 4 maj 1919: “Sa mund te jetoje njeriu pa mushkrine, aq mund te jetoje Shqiperia pa Vloren”! Parashqevia ishte e vetmja grua shqiptare, ne Konferencen e Parisit.
Me 1920-ën, Sevastia me familjen u kthyen ne Shqiperi dhe vazhduan punen per zhvillimin e aresimit kombetar, duke ngritur institutin “Qiriazi” ne Kamez. Patrioti Kristo Dako, vdiq me 1941-in. Ndihmuan familjarisht luften. Te dy motrat Qiriazi u kapen nga gjermanet dhe u derguan ne kampin nazist ne Denjine te Beogradit, por me mbërritjen e sovjetikeve, u liruan dhe u kthyen ne Kamez. Ne vitin 1946, shkaterohet varri i Kristo Dakos dhe eshtrat e atij patrioti te madh, u shperndane baltrave te fushes.
Motrat Qiriazi u arrestuan, por u liruan shpejt, per te mbajtur ne burg, dy djemte e Sevastise, njeri vdiq ne burg pak muaj pas arrestimit, ndersa i vogli, vdiq me 1949-ën ne burg, duke thene se vrau vehten. Pak dite me vonë se t’i vdiste djali i vogel’ Sevastia mbylli syte, si Jezu Krishti’ ne Golgotha.
Ajo vdiq e martirizuar shpirterisht, por ka mbetur ne zemrat e popullit te saje, ashtu si ajo i tha martirit Koto Hoxhi. Me hipokrizi regjimi komunist i Enver Hoxhës, e dekoroi martiren me titullin: “Mesuese e Popullit”, në vitin 1961, por ajo nuk kishte nevoje per te, se e kishte edhe pa e marre e, meritonte shume nderim nga cdo shqiptar e shqiptare, qe i vlon ne deje gjak shqiptari. Memorie.al/ KultPlus.com