Ermonela Jaho, sopranoja e madhe shqiptare sot ka datëlindjen

18 Korrik, 2023 - 9:39 pm

Ermonela Jaho, sopranoja shqiptare ikonë e artit botëror, sot feston ditëlindjen, shkruan KultPlus. Jaho ka lindur në Tiranë,  në vitin 1974. Nga Shqipëria u largua në vitin 1993 për në Itali me një bursë studimi, së cilës më pas iu desh të përpiqej për ëndrrën e ngjitjes në skenë, të cilën ëndërr arriti ta realizonte disa vite më vonë, duke interpretuar përkrah artistëve të mëdhenj në skenat më prestigjioze të botës.

Ermonela Jaho filloi të mësojë për këngën në moshën 6 vjeçare. Pas diplomimit nga Liceu Artistik Jordan Misja, në Tiranë në 1992, ajo studion në Akademinë e Arteve po në Tiranë. Ajo fiton një konkurs të organizuar nga sopranoja italiane Katia Ricciarelli në Shqipëri, dhe vendoset në Itali ku fillon të studiojë në akademinë e Mantovës. Më pas, ajo ndjek studime muzikore ne Akademinë Kombëtare të Santa Cecilia, në Romë.

Jaho fillon të interpretojë në skenë në Bolonja, në rolin e Mimit (La Bohème e Puçinit), në La Fenice, e më pas në rolin e Suzanës (Dasma e Figaros), si edhe në Trieste në rolin e Mikaelës (Karmen). Dalja e saj e parë në skenë jashtë Italisë ishte në festivalin e Weksfordit në Irlandë, ku këndoi operën Safo të Massenet, dhe Vajza e Orleanit të Çajkovskit. Në Gjermani, ajo shfaqet me rolin e Norinës (Don Paskuale) në Mynih. Më pas ajo interpreton përsëri Suzanën në Gjenevë dhe në Francë, në teatrin Kapitol të Tuluzës. Në Shtetet e Bashkuara, ajo paraqitet me Mimin, me Teatrin e Operës Michigan.

Nga viti 2009, karriera e saj e kthen atë në një ikonë arti botërore. Fitoi shpejt sukses nëpër botë, me lavdërime të shumta nga kritikët. Ajo vazhdon të paraqitet me La rondine të Puçinit në Trieste, Karmen në Glyndebourne dhe La Traviata në Lion. Në 2009, ajo vjen si Liù (Turandot) në Filadelfia, Vitellia (La Clémence de Titus) në Avinjon, dhe Ana Bolena në Paris.

Në tetor 2010, ajo duartrokitet në rolin kryesor Thaïs (e kompozitorit Zhyl Masene) në operën e Tulonit. Në prill 2011, ajo luan rolin e Luizës në Luiza Miller e Verdit në operën e Lionit, nën regjinë e David Alden.

Në tetor 2013, ajo këndon në La Vestale (Spontini) në Teatrin e Champs Élysées. Për hapjen e sezonit 2013/2014 në operën e Grand Avignon, ajo risjell rolin e Cio-Cio-San në Madama Butterfly, nën regjinë e Mireille Laroche.

Në shtator 2014, ajo shfaqet si Violeta e Traviatës në Operën Bastille, dhe në tetor vjen me një recitim në sallën Cortot të ‘École Normale de Musique de Paris’, e shoqëruar nga Genc Tukiçi.

Pasi risjell rolin kryesor të Madamës Butterfly ne 2015, në janar 2016, ajo është Desdemona e Othellos (Verdi) në Teatrin e Madh të Liceut në Barcelonë.

Në shkurt 2017, ajo vjen përsëri si Violeta e Traviatës në Sydney Opera House, ku vlerësohet fort në krah të José Carbó (Giorgio Germont) dhe Ho-Yoon Chung (Alfredo Germont).

Ndërsa në vitin 2023, Ermonela Jaho është shpallur ‘Artistja e Vitit në Çmimet Ndërkombëtare të Muzikës Klasike 2023’.

Para pak ditësh, Ermonela Jaho ishte e ftuar të interpretonte në koncertin qendror në Paris, për nder të 14 korrikut, Ditës Kombëtare të Francës, në mesin e shumë figurave me peshë, duke e vendosur edhe një herë vulën e ikonës së artit botëror./KultPlus.com

Të ngjajshme