20 Korrik, 2023 - 9:25 am
Nga Lea Ypi
Gjyshja ime Leman Ypi 13 vjeç ishte e vetmja vajzë në Liceun Francez të Selanikut. Cigaren e parë e tymosi kur ishte 15. 18, mori medalje ari për rezultatet më të mira në mësime. Kur u bë 20 qe e para femër në administratën shtetërore shqiptare. 22, Këshilltare e Kryeministrit. 28, bashkëshorte e një të burgosuri politik. 30, u dëbua. 32, nisi të punojë në kampet e punës në internim. 40, shumë prej fisit të saj u dënuan me vdekje, u vetvranë, të tjerë përfunduan në çmendina, në mërgim, ose në burg. 60, pothuajse vdiq. 87 humbi birin e vetëm.
Gjyshja më mësoi se dinjiteti s’ka lidhje me paratë, favoret, titujt. Më mësoi të jem modeste, të bëj çfarë është e dobishme, dhe jo të pres të shpërblehem. Ajo më mësoi të mos mposhtem edhe kur më duket se kam humbur gjithçka.
Kur e pyeta nëse ishte Zoti që e kishte ndihmuar në udhën e saj, m’u përgjigj se nuk e dinte çfarë ishte Zoti, por kishte besim në ndërgjegjen e saj.
Gjyshja ime ishte tepër krenare dhe gjithmonë e qetë. Ajo më mësoi gjuhën frënge. Kur vinin miq, bënte shaka dhe na mësonte Valz. Ajo rrinte gjithmonë zgjuar kur isha e sëmurë, ose kur punoja deri vonë. Gatuante Kekun më të mirë në botë. E donte një Whiskey të mirë. Sa herë jam në ankth pyes veten se çfarë do bënte apo do thoshte gjyshja ime në ato rrethana të vështira. Sa herë ndjehem e lumtur, më pushton dëshira që lumturinë ta ndaj me gjyshen time. / KultPlus.com