30 Korrik, 2023 - 10:00 am
Regjisor i shfaqjeve më të mira në teatrin kosovar në dy dekadat e fundit. Ky është një prej konstatimeve që ishte bërë për Bekim Lumin në ditën kur ai vdiq. Por gjatë jetës së tij prej artisti, Lumi nuk është njohur vetëm si regjisor. Midis të tjerash ai ishte edhe studiues.
Regjisori i njohur i teatrit shqiptarë dhe njëkohësisht profesor i nderuar që përcolli shumë gjenerata sot katër vite u nda nga jeta. Ai ishte ndër njerëzit që e donin më së shumti teatrin. Këtë e dëshmoi edhe vepra e tij e fundit që e jetësoi në skenë pak para se vdekja ta marrë, shkruan KultPlus.
Ndonëse ishte në ditët e tij të fundit, ai si rrallë ndonjë njeri tjetër, mblodhi të gjitha forcat për të realizuar ëndrrën e tij të fundit, jetësimin e veprës “Arturo Ui” në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës.
Por, këtë ëndërr nuk pati fatin ta shoh bashkë me publikun në premierën e saj, pasi që gjendja ju përkeqësua dhe shëndeti i tij i lig ja pamundësoi një gjë të tillë, por ai po frymonte lirshëm që kishte arritur që atë shfaqje ta sjellë para publikut.
Lumi ishte një ndër regjisorët më të vlerësuar në fushën e teatrit në Kosovë, profesor në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës. Ndër veprat që ai ka vënë në skenë mund të përmendim Teatri Laborator “Loja”, Prishtinë 2010 – William Shakespeare, “Këmisha e gjakut” (bazuar në tragjeditë “Makbethi”, “Rikardi III” dhe “Hamleti” të W. Shakespeare-it, si dhe në disa tekste të Kanunit të Lekë Dukagjinit), Teatri Laborator “Loja”, Prishtinë 2008 – Eugene Ionesco, “Çifti Martin”, Teatri Kombëtar i Kosovës, Prishtinë 2006 – Federico Garcia Lorca, “Shtëpia e Bernarda Albës”, Teatri Kombëtar i Kosovës, Prishtinë 2005 – A. P. Çehov, “Arushani” & “Fejesa” (dy komedi), Teatri Kombëtar i Kosovës, Prishtinë 2003 – Slavomir Mrozhek, “Galani”, Teatri “Dodona”, Prishtinë 2002 – Eugene Ionesco, “Mësimi”, Teatri “Dodona”, Prishtinë 2000 – “Kësulëkuqja në botën e minave” (shfaqje me kukulla), Teatri “Loja”, Mynih (Gjermani) 1999 – A. P. Çehov, “Për gruan dhe tokën e jap edhe kokën” (komedi e adaptuar mbi disa tekste të Çehov-it dhe mbi disa fragmente të Kanunit të Lekë Dukagjinit), Teatri “Loja”, Mynih (Gjermani) 1998 – Gjergj Fishta, “Zogu i shqiptarit dhe zogu i gomarit” (tragjikomedi mbi veprat epike dhe satirike “Lahuta e Malcis’ ”, “Gomari i Babatasit”, “Anzat e Parnasit”), Teatri “Loja” & Theater Truebuene, Mynih (Gjermani), etj. Lumi ka qenë kryeredaktor i revistës teatrale “Loja”.
Ai është vlerësuar me Mirënjohje Speciale “Sound of MESS” me shfaqjen “Këmisha e gjakut”, Festivali Ndërkombëtar i Teatrit MESS, Sarajevë (Bosnje e Hercegovinë). Në vitin 2011 ka marrë çmimin “Shfaqja më e mirë muzikore” për shfaqjen “Çifti Martin”, Festivali Ndërkombëtar i Teatrit Kamertal – Vratza (Bullgari). Çmimi “Shfaqja më e mirë” – Shfaqja “Mësimi”, Festival International del Teatro – Lugano (Zvicër).
U nda nga jeta më 30 korrik 2018 pas një sëmundje të rëndë. /KultPlus.com