‘Objektet e Pandeli Cales në Muzeun Historik Kombëtar’ në 100 vjetorin e vdekjes

2 Gusht, 2023 - 3:13 pm

Si shenjë respekti për punën dhe veprimtarinë e Pandeli Cales, në 100 vjetorin e vdekjes së tij, Muzeu Historik Kombëtar i Shqipërisë organizon aktivitet letrarë, shkruan KultPlus.

Me fillim nga ora 11:00, në sallën ‘Konstandin Shpataraku’, zhvillohet aktiviteti me temë: “Objektet e Pandeli Cales në Muzeun Historik Kombëtar”.

Pandeli Cale, njihet si njëri ndër veprimtarët më të mëdhenj të kohës së Rilindjes Kombëtare, periudhës së Pavarësisë, dhe njëherazi edhe si nënshkruesi i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë.

Një nga objektet e Pandeli Cales janë dylbitë, të cilat iu dhuruan Muzeut Historik Kombëtar nga e bija e tij Konstanca Prodani.

Pandeli Cale (1874-1923) ka lindur në Korçë. Studimet e larta i kreu në Kajro të Egjiptit. Mori pjesë në mbledhjen e shqiptarëve të Bukureshtit si dhe në Kuvendin Kombëtar të Vlorës në vitin 1912. U zgjodh ministër i Bujqësisë në Qeverinë e Përkohshme të drejtuar nga Ismail Qemali. Mbështeti mbajtjen e Kongresit të Lushnjës në vitin 1920 dhe ishte deputet i Korçës në vitet 1920-1922. Ky aktivitet organizohet në kuadër të një cikli me leksione të hapura me temë trashëgiminë kulturore dhe historinë.

Kujtojmë që ky aktivitet është një nga stacionet e sezonit veror “KultArt” 2023, organizuar nga Ministria e Kulturës. / KultPlus.com

Të ngjajshme