Bota magjike e Andersenit

4 Gusht, 2023 - 6:57 pm

Kur fjalët dështojnë, flet muzika.

Me histori tërheqëse, që kanë mbushur me lumturi zemrat e miliona fëmijëve në mbarë botën, Hans Christian Andersen mbahet mend si autori i përrallave më krijuese dhe më të lexuara. Edhe pse Anderseni ishte romancier, poet, dramaturg dhe eseist, përrallat u shndërruan në identitetin dhe kontributin e tij më të madh në letërsinë botërore.

Ndryshe nga autorët e tjerë të përrallave, shkrimtari dhe poeti i jashtëzakonshëm danez dallohet për mesazhet me përmbajtje humane, realiste, si dhe për optimizmin e tregimeve të tij. Njerëzor dhe realist, shkrimtari përcolli shpresën dhe na la mesazhe pozitive. Supozohet rëndom se përrallat janë histori që burojnë nga tradita popullore, përçuar ndër breza nga tregimtarët. Edhe pse është e vërtetë që shumica e përrallave janë të rrënjosura në folklorin oral, në një shkallë më të madhe ose më të vogël, në të vërtetë shumë nga historitë më të njohura na vijnë nga burime letrare.

Vetë jeta e Hans Christian Andersenit ngjasonte me një përrallë, sepse ai lindi biri i një këpucari të varfër dhe vdiq një njeri i pasur dhe i famshëm, i famshëm në të gjithë botën, i afërt i mbretërve dhe mbretëreshave. Bota e mrekullueshme përrallore e Hans Christian Andersen frymëzoi vepra të tilla si opera magjike e Dvoπák “Rusalka”, apo  “Le Rossignol” i Stravinskit etj. Muzika mund të komunikojë ndjenjat dhe atmosferën më drejtpërdrejt sesa fjalët, ajo është në gjendje ta bëjë pranverën joreale në jetë – shoqëruesin natyral të imagjinatës dhe fantazisë. Mitet dhe përrallat popullore kanë tërhequr gjithmonë kompozitorë, veçanërisht kompozitorët romantikë në epokën romantike, por përrallat e Andersenit kanë pasur një joshje të veçantë për muzikantët, gjë e cila vijon edhe në ditët e sotme.

Të paktën 80 kompozitorë janë frymëzuar prej tij, mes tyre shumë mjeshtra, madje edhe kompozitorët e ditëve të sotme gjejnë frymëzim në këto përralla. Ato nuk janë as të thjeshta dhe as fëminore, muzika ka jetuar brenda tyre, qysh nga fillimi.

Anderseni asnjëherë nuk pati si qëllim, që përrallat të ishin vetëm për fëmijët. Madje, edhe kur ato mbështeteshin në motive tradicionale, ai arriti të jepte krijime të sofistikuara letrare. Me përzierjen e sharmit dhe aventurës magjike, por edhe të ndjenjës së pakëndshme të thellësive të errëta, padrejtësisë, patosit dhe tragjedisë së mundshme, një vetëdije se edhe përfundimet e lumtura kanë një çmim dhe rrallëherë janë absolute.

Suksesi në rritje i Andersenit dhe udhëtimet jashtë vendit, e sollën gjithnjë e më shumë në kontakt me figurat kryesore artistike evropiane, jo vetëm me ato të letërsisë si Dikens dhe Brownings, por me kompozitorë të mëdhenj, mes tyre Shuman, Liszt, Mendelson, madje edhe Wagner. Ai ishte një nga admiruesit më të hershëm të Wagnerit, duke e vënë në ballë të shijes muzikore.

Ne i detyrohemi shkrimtarit disa autobiografi, një korrespondencë voluminoze dhe një “Ditar” të mrekullueshëm. Ndërmjet 1832 dhe 1842, ai botoi në broshura tregimet e para të shkurtra të mrekullueshme: “Përralla për fëmijë” (1835), të cilat nuk i adresoheshin vetëm audiencës fëminore. Suksesi e inkurajoi të vazhdonte të botonte; “Tregime të reja” (1843-1848) dhe “Tregime dhe histori të reja” (1858-1872). Anderseni shkroi 164 përralla, të kredhura në romantizëm dhe duke kombinuar mrekullinë dhe ironinë. Larg imitimit të paraardhësve të tij në zhanrin e përrallës (Perrault, Galland dhe Hoffmann, Brothers Grimm), stili i tij spikat për përdorimin mjeshtëror dhe të ekuilibruar të gjuhës së përditshme, idiomave dhe shprehjeve popullore, arrin të shpreh mrekullisht, në një gjuhë shumë të thjeshtë, emocionet më delikate dhe idetë më të mira, duke kaluar pa vështirësi nga poezia në ironi, nga farsa në tragjike. Anderseni u frymëzua nga histori tradicionale skandinave, gjermane dhe greke, nga kohët e lashta deri në Mesjetë.

Në mënyrë mjeshtërore, ai thuri materiale dhe ndikime të ndryshme për të krijuar përrallat që ne njohim sot. Përrallat prezantojnë mbretër dhe mbretëresha të vërtetë ose legjendarë; kafshë, bimë, krijesa magjike (sirena dhe zana), madje edhe objekte. Ndër përrallat më të famshme citojmë “Rosaku i shëmtuar”, “Mbretëresha e dëborës”, “Rrobat e reja të perandorit”, “Mjellmat e egra dhe sirena e vogël”, “Shitësja e shkrepseve”, “Princesha dhe bizelet”, “Ushtari i kallajit” dhe “Sirena e vogël” etj. Shumë nga përrallat u bënë drama, filma ose shfaqje muzikore, madje frymëzuan fotografi të animuara të njohura si Arieli. I pëlqenin shumë udhëtimet dhe udhëtoi shumë, mbi të gjitha në Gjermani për të vizituar miqtë Friederike dhe Friedrich Anton Serre. Kur Anderseni vdiq në moshën 70-vjeçare, më 4 gusht 1875, në Kopenhagen, tashmë njihej ndërkombëtarisht. Deri pak kohë më parë, shtëpia ku ai kishte lindur ishte një vend pelegrinazhi për fansat.

Më 30 qershor 2021, në vendlindjen e tij, Odense u hap një muze: “H.C. Andersen House”, në gjuhën daneze, “H.C. Andersen Hus”. Anderseni nuk e mendoi kurrë veten vetëm si tregimtar për fëmijët. Ishte e rëndësishme për të, që elementët sociokritikë ose satirikë të përrallave, të cilat ai me vetëdije i përfshiu për lexuesit e rritur, u theksuan po aq sa fantastikja dhe imagjinarja. Muzeu ka “hapësirën kushtuar fëmijëve”, përfshirë atelien me emrin “Ville Vau”, ku fëmijët mund të jenë krijues dhe të marrin pjesë në krijimtari. Para vdekjes, Andersen ishte shkrimtar i njohur dhe u konsiderua si thesar kombëtar nga qeveria daneze, madje i akordohej edhe një pagë. Në kopshtin “Rosenborg”, Kopenhagen, në nder të shkrimtarit legjendar ngrihet statuja e tij. / Konica.al / KultPlus.com

Të ngjajshme