Rama: Nëse jeni në Shkodër, vizitoni koleksionin e rrallë fotografik të Dinastisë së Marubëve

6 Gusht, 2023 - 6:00 pm

Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi në qytetin verior të Shkodrës, konsiderohet një pasuri e madhe dhe me shumë vlerë për vendin.

Kryeministri Edi Rama, publikoi sot në rrjete sociale, foto nga ky muze, teksa ftoi vizitorët dhe turistët e huaj, që frekuentojnë Shkodrën në këtë sezon veror, të mos e lënë pa e parë, koleksionin e rrallë fotografik të Dinastisë së Marubëve.

“Nëse jeni në Shkodër, mos e lini pa parë koleksionin e rrallë fotografik të Dinastisë së Marubëve”, shkroi Rama.

Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi, ka në fototekën e saj, fotografi me origjinë italiane. Pietro Marubi hapi studion e parë të fotografisë në Shqipëri, në mesin e shekullit të 19-të, kur vendi ishte nën sundimin osman.

Gjatë tre brezave ai, çiraku i tij Kel dhe djali i Kelit, Gegë, dokumentuan një periudhë magjepsëse të historisë shqiptare, që nga fillimet e lëvizjes për pavarësinë e Shqipërisë, përmes luftës Ballkanike dhe Luftës së Dytë Botërore, deri në regjimin komunist të Enver Hoxhës.

Koleksioni i fotografive të ekspozuara tregojnë bukur të gjitha sferat e jetës – revolucionarë, fermerë, politikanë, muzikantë, fe, shumëllojshmërinë e mahnitshme të veshjeve tradicionale shqiptare, etj./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme