5 Gusht, 2017 - 8:41 pm
Shoqata e Artistëve të Teatrit të Kosovës (SHATK) përmes një komunikate për media ka shprehur ngushëllimet familjarëve, miqve e kolegëve për vdekjen e aktorit Skender Tafaj, përcjellë KultPlus.
“Me rastin e vdekjes së aktorit Skender Tafaj (1948 – 2017), Bordi Ekzekutiv i Shoqatës së Artistëve të Teatrit të Kosovës u shpreh ngushëllimet më të thella familjarëve, miqve dhe kolegëve të tij të shumtë. Në këto çaste të rënda për ju, ne bashkëndjejmë me dhembjen dhe me pikëllimin për aktorin dhe artistin e shquar, i cili, për shumë vjet, skenës teatrore dhe filmike kombëtare i fali personazhe dhe kreacione të shumta artistike”, thuhet në komunikatë.
SHATK më tutje thotë se, “si një nga aktoret tanë me individualitet krijues, ai, prej vitit 1969 e deri në vitin 1988 (kur për shkaqe politike u detyrua të largohej nga Kosova), veproi dhe krijoi në skenën e ish Teatrit Popullor Krahinor të Kosovës, ku, me rolet e tij të shumta, u shqua në shfaqje të tilla si: “Revizori”, “Miza në vesh”, “Hotel Kashta”, “Makbethi”, “Një nuse per Stasin”, “Trungu ilir”, “Hamleti”, “Gof”, “Verbimi i Samsonit”, “Varri i qyqes”, “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, “Zogu i diellit”, “Konfiteori”, “Princi i hijeve”, “Ventrusët”, “Beselam pse më flijojnë” etj. Ai gjithashtu njihet edhe per rolet dhe kreacionet e tij artistike në disa nga projektet kinematografike të ‘Kosova Filmit’”.
Shoqata e Artistëve të Teatrit të Kosovës vlerëson se vdekja e aktorit Skender Tafaj është një humbje e madhe për artin tonë teatror dhe kinematografik.
Kjo Shoqatë thotë se, “emri, jeta dhe vepra artistike e Skender Tafajt përfaqësojnë një nga periudhat më të rëndësishme të zhvillimit të teatrit e të filmit në Kosovë. Në ngrehinën historike të vlerave tona skenike e filmike, ai dhe brezi i tij i artë do të mbahen në mend për rolet dhe kreacionet e shumta artistike me veçori dhe tipare të theksuara kombëtare. Në këto çaste të rënda dhembjeje për ne të gjithë, ne lutemi që shpirti i tij të pushojë përjetësisht në paqe!”. / KultPlus.com