14 Gusht, 2023 - 2:25 pm
Etno Fest festivali që tash e 13 vite bën bashkë dashamirës të traditës, folklorit dhe trashëgimisë kulturore, filloi mbrëmë rrugëtimin e këtij viti, përcjell KultPlus.
Programi i pasur e i kuruar me shumë kujdes, deri me 20 gusht ofron për publikun ekspozita të shumta, performaca muzikore, shfaqje teatrale, punëtori e debate. Ndër të tjera, për vizitorë është hapur edhe ekspozita figurative e profesorit të ndjerë Shyqri Nimani. Plot vepra artistike që shënojnë etapat e shtetësisë dhe lirisë së Kosovës, ju presin t’i vizitoni.
Të pranishëm në hapje ishin ministri Hajrulla Çeku dhe ministrja Albulena Haxhiu, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, artistë e artdashës.
Festivali, me mbështetës kryesor MKRS-në, vazhdon të jetë shembull se si mund të shfrytëzojmë potencialin e hapësirave të trashëgimisë kulturore, duke harmonizuar traditën me inovacionin dhe duke u shndërruar në një pikë referimi për entuziastët e kulturës dhe vizitorët e turistët. / KultPlus.com