27 Gusht, 2023 - 6:00 pm
Uranik Emini
Pothuajse çdo gjë që na rrethon në ditët e sotme ka të bëjë me teknologjinë, pra në brendësi jemi të zhytur thellë në një botë me përmbajtje dixhitale/teknologjike. Të gjesh frymëzim për të krijuar diçka inovative, e cila mund të ndërpritet nga momenti në moment vetëm pse njerëzve ju duket e “mërzitshme”, mund të jetë në radhë të parë një mision i frikshëm.
Megjithatë, së fundmi Valon Canhasi me një podcast unik me mision për të vënë në pah historitë e suksesshme të njerëzve nga Kosova, ka ofruar një platformë për individë të shquar në mënyrë që të ndajnë rrugët e tyre drejt arritjeve kulminante, shkruan KultPlus.
Valon Canhasi, prezantuesi dhe ideatori pas 3GO, në një intervistë për KultPlus zbuloi origjinën e podcast-it të tij, qëllimin e tij, sfidat me të cilat u përball dhe mësimet e përditshme të nxjerra gjatë rrugës.
Podcast-i 3GO, ose siç shqiptohet “Trego”, filloi sepse Canhasi kishe një dëshirë të madhe për të nxjerrë në pah arritjet e njerëzve të suksesshëm në Kosovë. Individët të cilët në mënyrë të pavarur kanë bërë një punë të jashtëzakonshme për të arritur në majat e suksesit, përkundër vështirësive që janë paraqitur rrugës.
Ky podcast synon që këta individë të prezantohen si “Role Model”, duke e dërguar fokusin dikun tjetër, përpos figurave të zakonshme të politikës, estradës dhe fushave që shpesh shihen si modele.
Canhasi shpjegon se logoja e podcast-it, e cila luan me zgjuarsi me “TREGO” dhe “EGO”, tregon idenë për të parë brenda vetes dhe për të mësuar, që është ajo që podkasti dëshiron të frymëzojë.
“Ideje e 3GO (trego) ka filluar si nevojë e krijimit të një platforme për promovimin e njerëzve të suksesshëm në Kosovë që me resurset dhe rrethanat e këtij ambienti kanë arrit me qenë të suksesshëm në industrinë apo profesionin e tyre. Kjo për të vetmen arsye me i inspiru djemtë dhe vajzat e reja, duke i prezantu si “Role model” këta mysafire. Shumë shpesh të rinjtë e këtij vendi i kanë pas politikanet apo estradën si role model, e me 3trego kam mendu me i prezantu edhe me këtë anë të medaljes. Nëse analizoni logon mundeni me vërejt qe i ka disa kuptime: TREGO lexohet, EGO që ne zakonisht tentojmë me thye gjate intervistës si dhe 360’ shkalle, pra audienca e sheh komplet pasqyrën e mysafirëve”, shprehet Canhasi.
Krijimi i bisedave: Temat, të ftuarit dhe kriteret
Për të vendosur se për çfarë të flisni në një bisedë normale me dikë, nevojitet që paraprakisht të dini diçka për një person. E në rastin e podcasta-ve ku është edhe më vështirë, ju nevojitet një përkushtim e planifikim më i kujdesshëm në mënyrë që mesazhi i duhur të përçohet te audienca.
“Kërkoj njerëz me histori të pasura, të cilët kanë një pasion të dukshëm për atë që bëjnë dhe kanë ndikuar në fushën e tyre. Temat e episodit ndjekin rrugën e tyre drejt suksesit dhe mësimet që kanë marrë. Dhe dikush që ka kohë”, thotë ai për KultPlus.
Lundrimi nëpër ujërat “fillestar” – nismë për një përmbajtje më të detajuar
Një nga sfidat fillestare me të cilat u përball podkasti ishte prezantimi i konceptit të podkastit për një audiencë më të gjerë në Kosovë, e gjitha kjo për faktin që një format i tillë online mund të mos jetë edhe shumë i kapshëm për të gjithë njerëzit.
“Një sfidë është të sqaroj se çfarë është një podcast për publikun e gjërë në Kosovë. Kemi punuar shumë në edukimin e dëgjuesve dhe promovimin e formatit të podcastit si një burim të pasur informacioni dhe frymëzimi. Titrimi i përmbajtjes ka qene sfidë, por tash me ndihmën e shqip.ai kjo pikë është lehtësu dukshëm”, tregon mes tjerash njohësi i botës dixhitale.
Arti i Përgatitjes dhe bashkëpunimit, për të shkuar një hap të zakonshmes
Hulumtimi i thelluar në backgroundin e secilit mysafir është një gur themel i suksesit të podcast-it, i përdorur nga mjetet dixhitale dhe me bashkëpunuesit e tjerë, e cila shërben si një bazë që e lejon Valonin të strukturojë diskutimet dhe të identifikojë pikat kryesore të bisedës.
“Përgatitja është çelësi. Bëj hulumtime të hollësishme për çdo mysafir, duke përdorur edhe mjetet digjitale dhe informatat nga komuniteti. Kjo më ndihmon të krijoj një strukturë të bisedës dhe të identifikoj pikat kryesore të diskutimit. Bashkë me ekipin e PIXELS sigurohemi që teknikisht me qenë niveli me i larte i zërit dhe fotografisë gjate realizimit të episodës. Njëra prej teknikave është qe nuk flasim paraprakisht me mysafirin mbi ato se çfarë do te diskutojmë dhe kjo tani po ndikon me pas shumë diskutim real dhe një episode shume të pasur me përmbajtje”, thotë ai.
Frymëzimi i të tjerëve, si shkas për vazhdimin e podcastave
Në përgjithësi në fushën e medias dhe podcastit, shpërblimet monetare me iniciativa individuale nuk janë motivim kryesor, e fitimi i vërtet shtrihet në fushën e “frymëzimit” të dikujt tjetër. Atëherë kur përmes një dëgjimi të podcastit ia ndryshon dikujt perspektiven nga negative në pozitive, është shpërblim i madh, sipas Canhasit, i cili thotë se është kënaqësi e madhe kur e sheh që podcast ka një fuqi transformuese nga episodi në episod.
“Përfitimi më i madh është frymëzimi që marr duke dëgjuar historitë e të ftuarve dhe ndikimi pozitiv që ato kanë tek dëgjuesit. Shumë dëgjues më kanë thënë se episodet kanë ndikuar në mënyrën e tyre të menduarit dhe kanë marrë mësime të çmuara nga to. E dyta është që dal ka dale po krijohet një arkivë e ndërmarrësve dhe profesionistëve te këtij vendi”, shpjegon tutje.
Arti i menaxhimit të kohës
Përkundër angazhimit të tij në 3GO, punën e tij në Hallakate dhe aktivitete të tjera të ndryshme, Valoni thekson rëndësinë e menaxhimit efektiv të kohës dhe prioritizimit. Me një ekip mbështetës, të ndarë nëpër role me përgjegjësi të ndryshme, çdo gjë bëhet e arritshme. Ndërkaq, prodhimi i katër podkasteve në muaj kërkon afërsisht dhjetë orë nga koha e tij.
Pajisjeje me aftësi gjatë mbajtjes së podcast-ave
I pyetur nga KultPlus se çfarë aftësi ka fituar ai ndërkohë që ka mbajtur tanimë 20 episode të tilla, thotë se dëgjimi aktiv, komunikimi dhe kritika konstruktive janë ndër mësimet kryesore.
“Këto aftësi më kanë ndihmuar të rris produktivitetin në punën dhe të ndërtoj marrëdhënie më të forta në jetën personale dhe profesionale. Si mësime nga folësit qe i kam marr janë qe gjithmonë duhesh me pas guxim dhe me dëgju “lukthin” kur dëshiron me vepru”, tregon CEO i Hallakate.
Integrimi i AI në fushën e podcast, mënyrë më efektive për realizim më të denjë
Valon Canhasi parashikon integrimin e inteligjencës artificiale dhe transkriptimin automatik për të përmirësuar aksesin dhe ndërveprimin për dëgjuesit. Ai parashikon se këto risi do të formësojnë peizazhin e podcasting-ut në vitet e ardhshme.
Mes tjerash, ambicia e Valon Canhasit për Podcast 3GO shtrihet në 100 episode e më gjerë. Qëllimi i tij është të vazhdojë t’u japë vlera dëgjuesve të tij dhe ai sheh një udhëtim të gjatë dhe të frytshëm përpara.
Toni Kuka – krenaria e Kosovës, synimi i Canhasit për podcast
Canhasi është i interesuar për njerëz si Kuka që kanë histori të jashtëzakonshme, që na bëjnë të ndihemi të motivuar në çdo moment.
“Do të doja shumë të flisja me njerëz te jashtëzakonshëm që kanë tregime që inspirojnë te tjerë dhe që kanë arrit të jenë të suksesshëm në profesionin apo industrinë e tyre në Kosovë, por nëse insistoni në një emër atëherë do të ishte Toni Kuka”, përfundon ai.
Deri tani si mysafirë të tij janë paraqitur 20 persona në 3GO, derisa në të janë spikatur disa prej emrave më të njohur nga fusha e teknologjisë, e-commerce, dizajnit grafik dhe personave me rekorde botërore. E në një kohë si kjo, Podcast-i 3GO shërben si një burim historish interesante e motivuese me biseda e njerëz të vërtetë. /KultPlus.com