Presidentja Osmani takohet me Jasharin: FSK-ja të zhvillohet në përputhje me standardet e NATO-s

6 Shtator, 2023 - 4:18 pm

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, sot ka pritur në takim komandantin e FSK-së gjenerallejtënant Bashkim Jasharin, shkruan KultPlus.

Ky takim pune me gjeneralin Jashari është realizuar para udhëtimit zyrtar për në selinë e NATO-s.

Nga ky takim, nga të dyja palët është ritheksuar vizioni që ushtria e Kosovës të zhvillohet në përputhje me standardet e vendeve anëtare të NATO-s, për të qenë forcë e ndërveprueshme në misionet e përbashkëta me forcat aleate në shërbim të paqes, stabilitetit dhe sigurisë rajonale dhe globale.

“Të dy ritheksuan se vizioni ynë i përbashkët është që Republika e Kosovës të zhvillojë ushtrinë e saj në përputhje me standardet e vendeve anëtare të NATO-së, për të qenë forcë e ndërveprueshme në misionet e përbashkëta me forcat aleate në shërbim të paqes, stabilitetit dhe sigurisë rajonale dhe globale”, thuhet në komunikatë.

Përmes një komunikate për media është bërë e ditur se Presidentja Osmani në cilësi të Komandantes Supreme të FSK-së, është njoftuar nga gjenerallejtënant Jashari me aktivitetet dhe zhvillimet aktuale në FSK, me theks të veçantë për procesin e realizimit të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit gjatë vitit 2023 dhe rritjen e mirëqenies se ushtarëve dhe ushtarakëve të FSK-së.

Po ashtu, Presidentja Osmani diskutoi me gjenerallejtënant Jasharin për bashkëpunimin dhe koordinimin e ngushtë me partnerin kryesor strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe me shtetet e tjera të NATO-s, lidhur me çështje të sigurisë në vend dhe rajon. /KultPlus.com

Të ngjajshme