BE: Panel global ekspertësh për rreziqet e inteligjencës artificiale për njerëzimin

13 Shtator, 2023 - 9:08 pm

 Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen bëri thirrje sot për krijimin e një paneli global ekspertësh për të vlerësuar rreziqet e inteligjencës artificiale për njerëzimin.

”Qindra zhvillues, akademikë dhe ekspertë kryesorë në fushën e IA na kanë alarmuar së fundmi për rrezikun e zhdukjes së njerëzimit”, tha ajo, në një fjalim në Parlamentin Evropian në Strasburg.

”Zvogëlimi i këtij rreziku duhet të jetë një prioritet global, së bashku me rreziqe të tjera që kërcënojnë shoqërinë në tërësi, siç janë pandemitë dhe lufta bërthamore”, theksoi ajo.

”Inteligjenca artificiale po evoluon më shpejt sesa vetë projektuesit e saj e kishin parashikuar. Prandaj na mbetet pak kohë për ta udhëhequr këtë teknologji në një mënyrë të përgjegjshme”, shtoi Der Leyen duke bërë thirrje për krijimin e një kornize të re globale  bazuar në tre shtylla: masa mbrojtëse, qeverisje dhe udhëzime për inovacionin.

“Ne duhet të punojmë së bashku me partnerët tanë që të gjithë të kenë të njëjtin kuptim të ndikimit të IA në shoqëritë tona”, tha ajo.

Shpërndarja në rrjetet sociale e imazheve false, më të mëdha se jeta, të krijuara nga aplikacione si Midjourney, ka alarmuar njerëzit për rreziqet e sistemeve të inteligjencës artificiale për demokracinë.

Potenciali i këtyre teknologjive, të cilat gjithashtu mund të shkruajnë disertacione, të kompozojnë muzikë ose të lehtësojnë diagnozat mjekësore, aq magjeps aq edhe shqetëson.

BE-ja shpreson të përfundojë rregulloren e parë në botë për të rregulluar këto risi përpara fundit të vitit.

Megjithatë, ajo nuk do të hyjë në fuqi para vitit 2026.

Legjislacioni i ardhshëm duhet veçanërisht të ndalojë aplikimet për mbikëqyrje masive të qytetarëve dhe të vendosë standarde në listën e shërbimeve të konsideruara në rrezik.

Aktualisht është objekt negociatash mes 27 vendeve anëtare të BE-së dhe Parlamentit Evropian.

“Legjislacioni ynë i IA është tashmë një model për të gjithë botën. Tani duhet të miratojmë rregullat sa më shpejt të jetë e mundur dhe të kalojmë në zbatimin e tyre”, kërkoi Von der Leyen./KultPlus.com

Të ngjajshme