16 Shtator, 2023 - 6:00 pm
Sulltan Murati, me dyzet mijë këmbës e me gjashtëdhjetë mijë kalorës, ra përpara Krujës më 1448, edhe e bëri qark kryeqytetin. Skëndërbeu kish lëshuar në Krujë kontin e Urenës, i cili, me gjithë thesarët që i premtoi sulltan Murati, qëndroi kundrë me trimëri të madhe.
Shqiptarët,sipër nga muret që rrethonin Krujën, rrëkëllenin mi krerët e turqve shpella, zjarr e vaj përvëlimtar. Nga tjatër anë, Skëndërbeu, me tetëmbëdhjetë mijë njerëz vetëm, derdhej përsëjashti me ushtrinë armiqeshë, e në luftëra të nxehta, priste turq me qindra, edhe hiqej duke rrëmbyer flamurë e plaçka.
Një ditë, turqit ngrehin shkallë përmbi muret, që të binin me të pabesë në qytet; Skënderbeu, në ballë të shqipëtarëvet edhe me pallë në dorë, u lëshua kundrë armikut me një hov aq të tutshëm, sa turqit iknë e u përhapnë në të katër anët e fushës, shqiptarët, pastaj, hyjtin në qytet të Krujës. Po një frikë e madhe i drodhi të gjithë, kur panë se Skënderbeu s’ish midis tyre…
Nata po binte dalëngadalë, e, në fund të qiellit, porsi virgjinesha të bardha,yjtë ëndërronin me trishtim. Konti i Urenës, sa gatitej bashkë me parësinë për të dalë për të kërkuan Skëndërbenë, – Mrika, çupë gjashtëmbëdhjetë vjetsh, më e bukura, më e shkëlqyera, më trimëresha e Krujës, kish hipur një kali të zi, e hidhej përpara, te deti i natës.
Në mes të fushës u përpoq me një kalorës. Njeriu i Azisë hëngëlliti nga gazi, kur gjysmë pa – nëpër rrezat e yjve – leshrat e Mrikës, që derdheshin gjer në vithet e kalit:
Allahu më paska dërguar për sonte një jastëk të butë!
Dheu është jastëk më i butë! – tha Mrika, e, me një të hequr palle, i vërtiti kokën. Kali u ngul në errësirë, e trupi i ushtëtarit u plas mbi tokë. Mrika zbriti, e, duke thënë “Perëndia i ndjeftë!”, i lërojti me majë të pallës një kryqnë kraharuar, pastaj u vërvit prapë mi kalë e u sil përpara.
Ah, ç’ëndërr nën yjtë e qetë, kjo e vashës së bukur që vente mi një kalë të rreptë për të gjetur trimin!…
Me një hop, Mrika zhveshi pallën, se Skënderbenë të rrethuar prej një tubë turqsh-e pa që po luftonte.
Trimit i ish copëtuar palla mi krerët armiq, e, duke marrë pallën e Mrikës, i preu kundrëqëndrimtarët. Po një prej këtyreve, para rënë, kish mund të plagosë në kraharuar Mrikën.
Skënderbeu i hipi kalit edhe e mori trimoshin e Krujës në pëqi. Si dragua, kali fluturonte nëpër fushë. Kur ia qasnë mureve të qytetit, Mrika ish e vdekur, – por e bukur, e qetë, me një nënqeshje në buzë, si në gjumë, aq e lumtur kish qenë që vdiste pranë Skënderbeut!… – 1898 / KultPlus.com