22 Shtator, 2023 - 4:04 pm
Sot janë shënuar 25 vjet nga rënia e Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit bashkë me luftëtarë të tjerë të UÇK-së, të cilët u përballën disa orë rresht me njësite të tëra serbe në Gradinë, përcjell KultPlus.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar sot Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin duke i cilësuar si figura me ideale të larta kombëtare.
Kryeministri është shprehur se në këtë çerek shekull të rënies heroike, nderojmë kujtimin e të rënëve në Gradinë. I përjetshëm qoftë kujtimi i të gjithë dëshmorëve që dhanë jetën në rrugën për çlirimin e Kosovës nga Serbia.
Ky është postimi i plotë i kryeministrit:
“Fati im më i madh i jetës”. Kështu e kishte quajtur Fehmi Lladrovci vdekjen për lirinë e Kosovës.
Me ideale të larta kombëtare, Fehmi Lladrovci, inxhinieri i makinerisë nga Universiteti i Zagrebit, veprimtari i çështjes kombëtare, i burgosuri politik, luftëtari i UÇK-së, ia fali jetën lirisë.
Më 22 shtator 1998, pas përballjes disa orëshe me njësi të forcave të armatosura serbe, ai ra dëshmorë bashkë me Xhevë Lladrovcin, Shefqet Zekën dhe Fatime Hetemin. Fatimja është motra dëshmore e Kryetarit të Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi.
Në këtë çerek shekull të rënies heroike, nderojmë kujtimin e të rënëve në Gradinë. I përjetshëm qoftë kujtimi i të gjithë dëshmorëve që dhanë jetën në rrugën për çlirimin e Kosovës nga Serbia.
Lavdi! / KultPlus.com