PriVocalFest po sjell edicionin e gjashtë, artistë vendorë e ndërkombëtarë pjesë e programit

29 Shtator, 2023 - 10:09 am

 

PriVocalFest tash e gjashtë vite me radhë mbetet një ngjarje e veçantë që krijon një platformë të mrekullueshme për artistët e muzikës vokale, duke ndarë zërat e tyre me audiencën dhe për të ndërthurur emocionet me muzikën; duke zgjeruar horizontet, për të arritur nëpër kufijtë e muzikës dhe për të promovuar artistët e rinj dhe kulturën në mënyra të reja dhe inovative.

PrIVocalFest është ngjarje që sjell së bashku artistë nga këndvështrimet më të ndryshme të muzikës vokale, duke krijuar një mjedis të pasur kulturor dhe artistik.

Në këtë edicion i cili nis më datë 4 Tetor dhe zgjatë deri më 14 Tetor, janë të ftuar kryesisht artistë shqiptarë por edhe ata ndërkombëtar që me paraqitjet e tyre kanë shkelur në skena të mëdha e prestigjoze.

“Edhe këtë vit (për të tretën herë me radhë) me qëllim të afirmimit të krijuesve të rinj kemi hapur thirrjen për kompozitorë duke i ftuar të eksplorojnë dhe të shpalosin veprat e tyre duke ndërthurur elemente të ndryshme për të krijuar e për t’i dhënë ndëgjuesit përjetime të reja. Një aspekt tjetër shumë i rëndësishëm është promovimi i artistëve të rinj duke i inkurajuar në zhvillimin dhe rritjen e tyre artistike”, njoftojnë organizatorët.

Në këtë edicion, në natën hapëse organizatorët kanë vendosur që ta përdorin fuqinë e artit në mbështetje për të rritur Ndërgjegjësimin për Kancerin e Gjirit.

Programi:

4.10.2023- Luciano Berio and more….
– Flaka Goranci, mezzosoprano (Austri) e njohur për zërin e saj të ëmbël, e prezantuar në shumë skena prestigjioze, shfaqet për herë të parë në skenën e festivalit tonë, duke hapur edicionin e 6-të të PriVocalFest; e shoqëruar nga Ansambli Primodern nën drejtimin e dirigjentit dhe kompozitorit Kushtrim Gashi (Gjermani, Kosovë).
(Me që festivali ynë tradicionalisht mbahet në muajin Tetor, dhe ky muaj i cili njihet si Tetori Rozë, muaji i Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit, kemi menduar që në mbështetje të kësaj kauze të përbashkët për të rritur vëmendjen dhe mbështetjen për vetëdijësim, zbulim dhe trajtim të hershëm si dhe kujdesin për këtë sëmundje; në kuadër të festivalit tonë të solidarizohemi në “mënyrën tonë artistike” duke i kushtuar kësaj kauze një natë mjaft speciale dhe të këndshme).
**VENDI: Amfiteatri i Ri i Bibliotekës Universitare, ora 20:00

6.10.2023
– Kori dhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës në bashkëpunim me Korin e Selanikut (Kosovë / Greqi) me një program me vepra të kompozitorëve të njohur ku veçohet vepra e kompozitorit G. Rossini-Stabat Matter; me solistë të njohur si: Besa Llugiqi, soprano (Kosovë); Albane Carrere, mexosoprano (France); Pablo Karaman, tenor (Itali); Julian Konstantinov, bariton (Bullgari); me dirigjenten e mirënjohur Mary Konstantinidou (Greqi).
**VENDI: Klan Arena, ora 20:00

8.10.2023- Artistët e Rinj
– Një natë e këndshme me program të larmishëm, interpretues dhe zëra të veçantë e të rinjë nga trojet shqiptare: Kejsi Haxhija, soprano (Shqipëri); Shinasi Ramadani, bariton (Maqedonia e Veriut); Harris Bajraktari, bariton (Kosovë), të shoqëruar me piano nga pianisti i njohur Melos Buza (Kosovë).
**VENDI: Amfiteatri i Ri i Bibliotekës Universitare, ora 20:00

10.10.2023- Early Music Night
– Ismet Vejseli, tenor (Maqedonia e Veriut) i shoqëruar nga ansambli instrumental sjellin natën me vepra të muzikës së hershme. Një artist që me zotësinë e tij artistike po ngjit majat e karrierës së tij, me një zë shumë të veçantë. Këtë natë skena do mirëpres dhe mysafiren e këtij koncerti Dea Xhemaili mexosoprano (Kosovë), e njohur për paraqitje të shumta skenike ndër vite.
**Vendi: Biblioteka kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, ora 20:00

11.10.2023- A Resounding Return
– Ansambli Attacca (Kosovë) i themeluar që nga viti 2012, nga atëherë kanë pasur paraqitje të ndryshme në vendin tonë dhe jashtë tij. Pas një pauze disa vjeçare ky ansambël rikthehet këtë vit duke u paraqitur në festivalin tonë me një program shumë special, të udhëhequr nga dirigjenti i njohur kosovar Hajrullah Syla (Kosovë). Ky koncert pasurohet dhe më tepër me zërat e solistëve të cilët do jenë pjesë e programit: Adelina Paloja, soprano (Kosovë); Ismet Vejseli, tenor (Maqedonia e Veriut); Elonë Sadiku, soprano (Kosovë).
**VENDI: Amfiteatri i Ri i Bibliotekës Universitare, ora 20:00

13.10.2023
– Zoya Petrova, soprano (Sllovaki) solokëngëtare e operave dhe kompozitore, pjesëmarrëse e shumë festivaleve ndërkombëtare akademike vokale dhe të kompozimit. E shoqërua nga pianisti i dalluar Andi Duraku, piano (Kosovë) sjellin një program mjaft të këndshëm për publikun tonë.
**Vendi: Biblioteka kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, ora 20:00

14.10.2023- Zëri Rrënjëve
-Ceylan Taci (Belgjikë), një koncert ndryshe, në një frymë shumë të ndryshme nga ajo që kemi pasur deri tani në festival, Ceylan Taci- këngëtare dhe kantautore me origjinë shqiptare nga Belgjika, shumë origjinale dhe mjaft e veçantë në stilin e saj, së bashku me mjeshtrin Astrit Stafai & Friends, sjellin një performancë unike, me këngë kryesisht origjinale të frymëzuara nga historitë e jetës.
**Vendi: Defy Them, ora 20:00.  / KultPlus.com

Të ngjajshme