Jepet premiera e filmit “Alexander”, përfaqësuesi zyrtar i Shqipërisë në Oscar

5 Tetor, 2023 - 4:30 pm

Filmi “Alexander” i regjisorit Ardit Sadiku, i cili do të përfaqësojë Shqipërinë në garën e çmimeve Oscar, u shfaq premierë në kinemanë Cineplexx të Tiranës para një publiku kineastësh dhe gazetarëve të kulturës.

Filmi është dëshmia e një ngjarjeje tragjike, ndodhur ndërsa regjimi komunist ishte në grahmat e fundit. Protagonisti i filmit, Aleksandër Gruda, një mekanik i anijeve të flotës detare, rrëfen arratisjen nga Shqipëria komuniste së bashku me familjen dhe miqtë, gjithsej 18 persona të cilët rrëmbyen një anije luftarake, në liqenin e Shkodrës.

Por rruga e tyre drejt lirisë nuk ishte e lehtë. Në përfundim të kësaj aventure, Aleksandri u gjet në udhëkryqin e jetës: t’i gëzohej lirisë apo të hidhërohej për humbjen e vajzës së vetme në tentativën për t’u arratisur.

Rrëfimet e kësaj historie mbi përpjekjet ekstreme në kërkim të lirisë, regjisori Ardit Sadiku i ka xhiruar në tre kontinente: në Ameriken e Veriut, Europë dhe Australi, ku jetojnë protagonistët e ngjarjes. / atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme