11 Tetor, 2023 - 1:45 pm
Vjollca Duraku
Fotografitë: Adi Beqiri
I mbajtur në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, koncerti i katërt me radhë i “PriVocalFest”, sikur hoqi perden mes solistëve të mbrëmjes Ismet Vejselit (tenor) e Dea Xhemailit (mezsoprano) dhe publikut, duke u bërë një në energjinë e emetuar si shkak i skenës së vogël dhe pranisë shumë të afërt me publikun, shkruan KultPlus.
Në formë harkore, në shkallët e Bibliotekës, e që ngjanin me një mozaik, ishin vendosur karriget të cilat brenda pak minutave u mbushën plotë. Të radhitura rreth dhe shumë afër skenës vendi ngjasonte në një amfiteatër, që mundësonte që ngjarja të përjetohej më ndryshe sikur ndodh zakonisht, kur distanca mes interpretuesve dhe publikut është më e madhe.
Me duartrokitje publiku e mirëpriti tenorin Ismet Vejseli dhe pianistin Shkëlzen Baftiari në skenë, të cilët hapjen e koncertit e shënuar me një përulje para publikut i cili gjendej në të tre anët e tyre.
Nën tingujt e pianos filloi interpretimi i veprës “Flow my tears”, e kompozitorit John Dowland. Ishte kontakti me sy drejtuar publikut në skenë i cili gjendej shumë afër tenorit Ismet Vejselit, që bënte edhe publikun të ishte pjesë e performancës duke qenë përthithës të drejtpërdrejtë të tingujve të pianos dhe tonit jo shumë të lartë të solistit në skenë.
“Caro mio ben” e Giuseppe Giordani, ishte pika e dytë performuese, e cila filloi pas duartrokitjeve të publikut për pjesën e parë. Kjo pikë, në fillim karakterizohej me tinguj konstantë, të cilët me kohën sa vinin e bëheshin më të lartë, për të shënuar rënie përsëri. Ky cikël i ngritjeve dhe uljeve të zërit vazhdoi disa herë deri në mbarim të kësaj pike interpretuese.
“Lasciar D’Amarti” e Francesko Gasparni, qe pika tjetër e radhës, i cili i dha një pozicionim anash të tenorit, që në përgjithësi mbante një qëndrim serioz, e i cili shtohej edhe më, me një nxjerrje të herëpashershme të lartë të tingujve. Në këto çaste solisti dominonte skenën.
Një pamje më harmonike mori skena kur iu bashkua edhe mezosopranoja Dea Xhemaili, e cila së bashku me tenorin Ismet Vejseli interpretuan veprën “Pur ti miro” të Claudio Monteverdi. Kjo pikë, herë dhuronte tinguj të përbashkët të artistëve në skenë, e herë tinguj të përsëritur duke e plotësuar njëri-tjetrin.
E përqendruar në tingujt dhe interpretimin e veprës “Ah! Mio Cor” të George Frideric Handel, mezosopranoja Xhemaili nxirrte tinguj konstant, e herë të lartë, të cilët interpretoheshin më me shumë emocion. Tingujt e lehtë të pianos ishin ata që e shënuan fundin e kësaj performance, për t’i lënë radhë pjesës së dytë të koncertit, së cilës i parapriu një ndryshim i skenografisë.
Disa minuta më vonë, në skenë, të veshur në të zeza, dolën edhe violinistët Rron Bakalli e Alba Zeqiri, me violë Vesa Doli, me violonçelo Arian Zherka, dhe me piano përsëri Shkëlzen Baftiari, të cilët interpretuan gjashtë pika të kompozitorit George Frideric Handel, së bashku me tenorin Ismet Vejseli.
“Semplicetto! A donna credi?”, “Ombra mai fu”, “Every valley shall be exalted”, “Dell’ Iberi al soglio invitto”, “Gentle airs, melodious strains” dhe “Tuo Druo e mio rivale” ishin veprat e kompozitorit George Frideric Handel, që tenori Ismet Vejseli dhe muzicientët i prezantuan para publikut në sallë.
Një buzëqeshje në fytyrë, lëvizje e dorës së djathë nën tinguj më të hareshëm ishin elemente të pikës së parë interpretuese në pjesën e dytë të koncertit, kulminacioni i të cilit arrihej kur tenori peshën e tij të trupi e mbante vetëm në gishtërinj të këmbëve.
Dirigjimi i muzicientëve, tinguj të lartë që pasoheshin me ngritje të vetullave për disa sekonda, tinguj strikt e dramatik, dhe një lëvizje në një linjë horizontale e tenorit për t’i vënë në qendër të vëmendjes edhe muzicientët të cilët gjendeshin në sallë qenë elemente të interpretimit të pikave pasuese, të cilat publiku i vërente lehtësisht, nga afërsia që pati me skenën.
Krejt në fund të koncertit, siç ndodh zakonisht në ngjarje të tilla, një përulje para publikut u dhurua nga solistët dhe muzicientët njëherazi.
Në një prononcim për KultPlus, mezosopranoja Dea Xhemaili të veçantë e ka quajtur koncertin dhe bashkëpunimin me tenorin Ismet Vejseli.
“Ka qenë një ndjenjë shumë e veçantë, pasi që ky është bashkëpunimi im i parë me tenorin Ismet Vejseli. Ishte një ndjenjë e pa përshkruar. Programin e kemi caktuar para dy muajsh. Meqë Ismeti nuk jeton në Kosovë, provat i kemi realizuar veçmas, por pasi veç jemi edhe profesionistë nuk ka qenë edhe shumë vështirë për t’u koordinuar. Vetëm dy deri në tri prova të përbashkëta i kemi realizuar pasi ka ardhur tenori në Kosovë”, ka thënë mezosopranoja Dea Xemaili.
Ndërsa të rëndësishëm e ka cilësuar festivalin “PriVocalFest”, tenori Ismet Vejseli duke u ndier i lumtur që iu dha mundësia për të qenë pjesë e tij.
“Është gjithmonë kënaqësi kur paraqitem para publikut të Prishtinës, e sidomos me qenë pjesë e një festivali që tash ka filluar edhe me edicionin e gjashtë dhe ka filluar të jetë shumë i rëndësishëm edhe në ngjarjet dhe në jetën kulturore në Prishtinë, kështu që është shumë kënaqësi dhe ndjehem shumë mirë gjithmonë”, ka thënë Vejseli.
Kurse violinistja Alba Zeqiri, shprehu dëshirë për të qenë pjesë e festivalit edhe në vitet e ardhshme, pasi edicioni i gjashtë i “PriVocalFest” për të ka qenë një eksperiencë e mrekullueshme.
“Jam shumë e kënaqur që isha pjesë e “PriVocalFest”. Ishte një eksperiencë shumë e mirë për mua të njoftohem me muzicientë të rinj dhe të bëjmë muzikë së bashku. Ne kemi kaluar shumë mirë edhe përgjatë provave, jo vetëm sot në koncert. Besoj se koncerti i sotëm ka qenë një përvojë shumë e mirë për të gjithë ne. Kam kaluar një kohë shumë të mirë dhe shpresoj se edhe viteve të ardhshme do të përsëritet e njëjta, me shpresë që do të ketë edhe më shumë koncerte me muzicientë të rinj”, tha Zeqiri duke e bërë të ditur faktin se nuk e kanë ndier aspak lodhjen përgjatë provave.
“Bashkëpunimi me koleg ka qenë shumë i mirë. Kemi pasur prova çdo ditë por nuk është se e kemi vërejtur lodhjen, për shkak se kanë qenë prova shumë interesante. Kemi bërë muzikë, jemi kënaqur duke bashkëpunuar, jemi marrë vesh për gjëra të ndryshme dhe procesi i provave ka shkuar shumë shpejt, aq sa nuk e kemi vërejtur kohën që ka shkuar. Shpresojmë që ta bëjmë të njëjtën edhe viteve të ardhshme”, përfundoi Zeqiri..
Koncerti i radhës i festivali “PriVocal Fest” do të mbahet sonte, me 11 tetor, në ora 20:00 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, ku solistë do të jenë: Adelina Paloja, Hajrullah Syla, Ismet Vejseli dhe Elona Sadiku./KultPlus.com