18 Tetor, 2023 - 1:15 pm
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se është detyrë e institucioneve shtetërore dhe shoqërisë që çdo vajzë e grua të ndjehet e fuqizuar dhe e mbështetur për të ndjekur pasionin e saj. Një mesazh të tillë e para e shtetit e dha gjatë adresimit të saj në ceremoninë diplomimit të 20 studenteve kosovare në “Global Engineer Girls of Kosovo”.
“I gëzohem përherë ngjarjeve të tilla, të cilat në qendër kanë gratë dhe vajzat e reja si dhe sukseset e tyre të pandalshme. Programet si ‘Global Engineer Girls’ janë iniciativa të shkëlqyeshme që mbështesin gratë dhe vajzat të cilat kanë vendosur të ndjekin karrierën e tyre në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës dhje njëkohësisht ndihmojnë në forcimin e partneritetit me institucionet tona arsimore që ofrojnë këto programe për të rejat dhe të rinjtë tanë”, ka theksuar presidentja Osmani.
E para e Republikës ka thënë se është e domosdoshme që të punohet ende në zvogëlimin e hendekut gjinor në perspektivën e punësimit në vendin tonë. Ajo ka thënë se është e rëndësishme të kuptohet që kur ka gjithëpërfshirje dhe barazi, çdo sfidë dhe çdo problem tejkalohet më shpejt dhe më mirë.
“Këto vajza të reja janë më të vërtet shembulli më i mirë i potencialit të rinisë sonë të jashtëzakonshme, sukseset e të cilave nuk njohin kufij. Detyra jonë si shtet dhe si shoqëri është që çdo grua dhe vajzë të ndjehet e fuqizuar dhe e mbështetur për të ndjekur pasionin e tyre, pa marrë parasysh fushën dhe rrugëtimin që kanë zgjedhur. Është detyrë e jona që çdo vajzë pa frikë dhe pa hezitim mund të thotë se unë dua, unë mundem dhe unë do t’ia arrij. Prandaj, le të jemi një vend që nuk e sheh të ardhmen e barabartë vetëm si një destinacion, por si mision të shenjtë. Një mision ku çdo grua dhe çdo vajzë ka një vend të garantuar në rrugën drejt suksesit dhe të ardhmen e vendit tonë. Në këtë ditë të veçantë dhe kaq të rëndësishme për secilën prej jush ju përgëzoj për suksesin dhe uroj shumë që të vazhdoni t’i frymëzoni brezat e ardhshëm të inxhiniereve dhe shkencëtareve tona”, ka shtuar presidentja Osmani.
Global Engineer Girls (GEG) është program për mundësi arsimimi dhe karriere në Kosovë, Turqi, Maqedoni Veriore dhe Kuvajt./rtk/KultPlus.com