Kryeministri Kurti: Për dy vjet e gjysmë u arrestuan mbi 3800 persona, u kapën 2.2 tonë droga

18 Tetor, 2023 - 2:29 pm

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i ka publikuar disa shifra që kanë të bëjnë me luftimin e krimit të organizuar dhe sundimin e ligjit.

Kurti tha se për dy vjet e gjysmë, u arrestuan mbi 3 mijë e 800 persona, në mesin e të cilëve 300 zyrtarë publikë.

Po ashtu ai tregoi se gjatë kësaj kohe u kapën 2,2 tonë kokainë.

Shefi i qeverisë njoftoi se u organizuan mbi 1 mijë operacione kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës

Albin Kurti, tha se për këtë periudhë kohore janë shtuar 850 policë të rinj, nga të gjitha komunitetet.

“Mbi 14 milionë euro janë sekuestruar nën dyshimin e keqpërdorimeve dhe shpërlarjes së parave. Dogana e Kosovës ka konfiskuar mall me vlerë prej 30.6 milionë euro, kurse vlera e parandaluar nga ana e Doganës së Kosovës në fushën e ekonomisë joformale, është mbi 90 milionë euro”, tha Kurti.

“Në bashkëpunim me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut janë mbyllur gjashtë, respektivisht dy rrugë ilegale, përgjatë kufinjve përkatës që ndajmë me këto dy shtete. Ndërkaq, në mënyrë të njëanshme, në pjesën veriore të Republikës deri më tani janë mbyllur 24 rrugë ilegale të cilat përdoreshin për kontrabandë, trafikim dhe kalim ilegal të kufirit nga struktura të krimit të organizuar”, theksoi ai.

“Janë ngritur nëntë stacione të reja policore për mbikëqyrjen dhe kontrollin e kufirit. Deri në vitin 2021 nuk kishte asnjë të tillë. Janë shkatërruar gjashtë laboratorë për prodhimin e kriptovalutave. Vlera e narkotikëve dhe pajisjeve të laboratorëve të drogës arrin deri në 40 milionë euro”, shtoi shefi i qeverisë./KlanKosova/KultPlus.com

Kurti droga drejtesia

Të ngjajshme