20 Prill, 2018 - 10:26 pm
Alberina Haxhijaj
Kino Armata do të jetë një hapësirë tjetër për zhvillimin e kulturës në Prishtinë.
Sonte u mblodhën një numër i artdashësve në një takim joformal për të diskutuar për mënyrën se si do të funksionojë kjo hapësirë në të ardhmen e afërt.
Kino ARMATA, shtëpia e filmit dhe kulturës, prej kësaj jave ka filluar misionin e saj në promovimin e shprehjeve alternative artistike.
Hapësira që në hyrje vërehet se ende nuk është plotësisht funksionale, mirëpo me dëshirë dhe me punë ajo është premtuese. Një gjë të tillë e sheh edhe menaxhuesi i Kino ARMATA, Alush Gashi, i cili tha se ky ka qenë një takim për të larguar nostalgjinë por edhe për të diskutuar dhe marrë mendime nga qytetarët, për të realizuar kështu një program apo plan veprimi.
“Salla mund të përdoret për koncert, per teatër, si kinema por edhe për projekte apo ide të ndryshme. Kjo është një shtëpi e filmit dhe kulturës dhe shpresojmë që të ketë program dhe audiencë që do të jetë e interesuar të vizitojë hapësirën” u shpreh ai.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se komuna është e interesuar që të vë në funksion këtë hapësirë duke ua lënë qytetarëve në duar zgjedhjen e mënyrës.
“Komuna nuk mendon që e menaxhon më së miri vet një institucion të rëndësishëm prandaj edhe po diskutojmë duke parë se cila është mënyra më e mirë që të menaxhohet nga komuniteti, duke përmbushur kërkesat që vijnë prej artistëve apo prej grupeve të ndryshme të interesit”, tha ai duke shtuar se hapja zyrare do të jetë të mërkurën.
Gjithashtu ai tha se duhet që të merret ndihmë edhe për shkak se procedurat ligjore janë ngulfatëse dhe prandaj do ishte mirë që edhe të krijohej një këshill inicues me pesë persona të cilat do ishin përfaqësues të komuniteteve, dhe një nga Komuna. Qytetarët të cilët ishin të pranishëm kërkuan që gjithashtu brenda këtij këshilli të përfshihej edhe mendimi i tyre dhe të realizohen edhe takime të tilla më shumë e më shpesh
Komuna tashmë në bashkëpunim edhe me Qendrën Kinematografike të Kosovës janë duke shikuar për mbledhjen e fondeve për sjelljen e një projektori të ri, duke sjellë kështu një sallë të improvizuar të filmit.
Disa prej të pranishmëve treguan kujtime që i kanë e që lidhen më këtë objekt, mirëpo nuk munguan as ide të cilat erdhën nga qytetarët por edhe nga oganizatat e ndryshme të cilat janë realizuar nga iniciativa e qytetarëve: si Anibar, Termokiss e të tjerë. / KultPlus.com