31 Tetor, 2023 - 11:31 pm
Tre astronautë kinezë janë kthyer në Tokë pasi kaluan më shumë se pesë muaj në stacionin hapësinor të Kinës.
Astronautët që ishin pjesë e misionit të Kinës Shenzhou-16 u ulën në vendin e uljes Dongfeng në Rajonin Autonom të Mongolisë së Brendshme të Kinës veriore, shkruan AA, transmeton KosovaPress.
“Kapsula e kthimit e anijes kozmike të drejtuar Shenzhou XVI, që mbante astronautët Jing Haipeng, Zhu Yangzhu dhe Gui Haichao, u ul në vendin e uljes Dongfeng në Rajonin Autonom të Mongolisë së Brendshme të Kinës”, thuhet në postimin e Stacionit Hapësinor Kinez në X.
Të tre astronautët, të cilët qëndruan në stacionin hapësinor për 154 ditë, janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Kthimi i ekuipazhit Shenzhou-16 erdhi pasi anija kozmike e drejtuar nga Shenzhou-17, me tre astronautë të tjerë në bord, u ankorua me sukses në stacionin hapësinor javën e kaluar./rtv21/KultPlus.com