Përvjetori i Kuvendit të Dibrës, kërkesa për autonomi nga Perandoria Osmane

1 Nëntor, 2023 - 1:05 pm

Më 1 nëntor 1878, krerët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit mbajtën Kuvendin e Dibrës.

Kuvendi kryesohej prej Iljaz pashë Dibrës dhe Abdyl bej Frashërit dhe kërkoi autonominë e shqiptarëve brenda Perandorisë Osmane. Rezoluta e përpiluar prej Abdyl bej Frashërit, e cila do t’i dorëzohej sulltanit në Stamboll, përmbante 5 pika:

  1. Vilajeti i Shqipërisë;
  2. Nëpunësit shqiptarë;
  3. Arsimi shqip;
  4. Kuvendi i vilajetit;
  5. Buxhet për arsim dhe infrastrukturë

Së pari, parashtrohej që Vilajeti i Shqipërisë të formohej nga katër vilajetet e atëhershme: Shkodra, Kosova, Manastiri e Janina. Në Shqipëri, të shërbenin si nëpunës vetë shqiptarët, duke i dhënë kështu fund diskriminimit dhe kolonizimit. Në shkollat që do të hapte vilajeti, kërkohej të mësohej shqip.

Sipas rezolutës, viset e vilajetit do të zgjidhnin një kuvend, i cili do të ngarkohej me: caktimin e buxhetit, emërimin e qeverisë dhe të gjykatave të vilajetit, si edhe me ndërmarrjen e “reformave të dobishme për shtetin dhe për kombin”. Në shkurt 1879, një delegacion shqiptar ia paraqiti këto kërkesa Perandorisë, e cila i shpërfilli dhe u kundërpërgjigj me forcë. / atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme