10 Nëntor, 2023 - 11:35 pm
Kurti e përmend agresionin e Serbisë para organizatës më të madhe socialdemokrate në Evropë
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka folur përpara anëtarëve të organizatës socialdemokrate në Evropë ku sot u bë anëtare edhe partia të cilën vetë Kurti e udhëheq, Lëvizja Vetëvendosje.
Kurti tha se pranimi i VV-së si anëtare vëzhguese në hapin e parë është një dëshmi e besimit ndaj qeverisjes, të cilën Kurti e quajti të mirë, efikase dhe premtuese të cilën ai e udhëheq si kryeministër i Kosovës.
“Ky besim frymëzon një përkushtim kolektiv, nga unë, partia ime dhe Qeveria që drejtoj. Prandaj, ju siguroj që do të vazhdojmë të dëshmojmë aktivisht përkushtimin tonë ndaj zbatimit të politikave socialdemokratike. Ne duam të tregojmë që progresi demokratik dhe qeverisja e mirë prodhojnë përfitime sociale dhe ekonomike”.
“Me një përkushtimi të palëkundur ndaj sundimit të ligjit dhe një lufte të vendosur kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, po krijojmë mundësi të paprecedenta për prioritete të reja — drejtësi sociale dhe barazi, punësim dhe politika të rishpërndarjes në Kosovë, duke i sjellë dobi të gjithëve. Këto veprime tona po adresojnë ato që dy vjet e gjysëm para se të vinim ne në pushtet nuk ekzistonin fare si prioritete”, tha Kurti, transmeton Klankosova.tv.
Kreu i qeverisë përmendi Raportin e Komisionit Evropian, ku sipas tij, Kosova ka shënuar rritjen më të madhe në shkallen e vet, duke përmirësuar nivelin e vet të përgatitjes në pesë kapituj negociues.
“Përmendje të tjera të rëndësishme janë një rritje prej 34% në punësim, miratimi i ligjeve mbi financimin e partive politike dhe zgjedhjeve të përgjithshme, si dhe rreshtimi me sanksione të BE-së dhe ShBA-së kundër Rusisë dhe Bjellorusisë. Sektori i drejtësisë ka themeluar Gjykatën Komerciale për të drejtat e pronësisë intelektuale, ka përforcuar rikuperimin e aseteve me një koncept të ri të fondit të konfiskimit dhe ka përparuar në zbatimin e legjislacionit kundër korrupsionit”.
“Pavarësisht nga sfidat me të cilat është përballur vendi im, brishtësinë e trashëguar para tri krizave të njëpasnjëshme botërore – pandemisë, krizës së energjisë dhe asaj të inflacionit – buxheti ynë do të vazhdojë të rritet vitin tjetër, duke arritur një rekord të ri, ndërsa për herë të parë BPV-ja po tejkalon 10 miliardë euro, duke shënuar një rritje thuajse 50% të BPV-së në katër vitet e fundit”, tha tutje Kurti.
Më tej, Kurti përmendi edhe agresionin e Serbisë ndaj Kosovës më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, për të cilin tha se ka forca që synojnë të provokojnë konflikte dhe luftëra të armatosura për të minuar autoritetin e për të ripërcaktuar kufijtë dhe imponuar rregulla të reja të rendit.
“Ndërkohë, siç e dini, më afër Bashkimit Evropian, një veprim tjetër agresioni është zhvilluar. Ai ka ndodhur më 24 shtator në Kosovë, kur vendi im u sulmua në tokën e vet, në pjesën veriore të territorit, nga një grup i armatosur mirë i terroristëve paramilitarë, të cilët ishin trajnuar, pajisur dhe financuar nga shteti i Serbisë, një fakt që është dëshmuar nga një varg provash të zbuluara pas sulmit”.
“Një zyrtar policor nga Policia e Kosovës u vra dhe dy të tjerë u plagosën. Falë profesionalizmit shembullor të njësive speciale të policëve tanë, Kosova ka arritur t’i mposhtë terroristët, duke iu përgjigjur proporcionalisht këtij sulmi dhe duke shmangur një eskalim të pakontrolluar, gjë që ishte qëllimi i grupit kriminal paramilitar të kontrolluar nga Beogradi”.
“Ne përfaqësuesit e forcave të qendrës së majtë në Evropë, e kujtojmë historinë dhe jemi larg të qenit naivë: Historia evropiane ka vërtetuar gjithmonë se ne jemi në ballë të luftës kundër të gjitha formave të ekstremizmave, për promovimin e paqes dhe të drejtave të njeriut edhe kur dhuna, racizmi, antisemitizmi dhe islamofobia duket se po fiton terren dhe mendje. Vazhdoj të jem optimistë se ne mund ta forcojmë unitetin tonë në mënyrë që ta ndryshojmë rrjedhën e këtyre ngjarjeve”, tha Kurti.
Tutje, Kurti tha se Kosova përballet me sfidën për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, teksa shtoi se e pranon përgjegjësinë që i takon për stabilitetin afatgjatë dhe paqen e qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor.
“Këtu e shfrytëzoj mundësinë të ndaj lavde për grupin S&D për udhëheqjen e saj në rezolutën e miratuar te Parlamenti Evropian më 19 tetor. Deri me tani, ky ishte teksti më i qartë politik për sulmin e 24 shtatorit”./KlanKosova/KultPlus.com