23 Prill, 2018 - 12:00 pm
Mbrëmë në Berlin u dha shfaqja e fundit nga Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.
Kjo trupë, është duke qëndruar për disa ditë në Berlin atje ku dhanë gjithsej katër shfaqje, ndërsa sot udhëtojnë për në Hamburg ku do t’i kenë edhe tri shfaqje të tjera.
Duartrokitje të forta morën nga publiku gjerman balerinët e Kosovës. Kjo gjë tregohet edhe përmes një video të publikuar në rrjetin social Facebook, nga balerini Sinan Kajtazi, i cili poashtu ka shkruar për ndjesinë dhe ka kritikuar edhe përfaqësuesit e shtetit të Kosovës në Berlin, për mos prezencë në asnjë shfaqje të kësaj trupe e cila po mrekullon qytetarët e shteteve të ndryshme.
Po sjellim të plotë reagimin e Sinan Kajtazit të bërë mbrëmë bashkë me një video:
“Sonte në Berlin, dhamë edhe shfaqjen e fundit, ku për katër netë me radhë, publiku me duartrokitje dhe ovacione, aprovoj shfaqjet e BKK në kryeqytetin gjermanë. Sigurisht që kjo na bëri krenarë të gjithëve, dhe po aq na turpëruan përfaqësuesit e shtetit të Kosovës në Berlin, përkatësisht Ambasada e RKS, punonjësit e së cilës nuk gjetën 2 orë kohë të ishin prezent në njërën nga katër shfaqjet e BKK. Për 46 vite jetë të BKK, ky ka qenë prezantimi i parë në Gjermani, dhe neglizhenca e përfaqësuesëve të shtetit tonë në raport me prezantimin e parë të një institucioni shtetëror në vendin ku janë deleguar, është për keqardhje.
Nesër udhëtojm për Hamburg, ku do t’i kemi edhe tri shfaqje të tjera.
Thank you Berlin for your great hospitality!!!
PS- Televizoni i famshëm evropian ARTE, në fund të këtij viti, do të realizoj dokumentar rreth punës së BKK”, ka shkruar Kajtazi./ KultPlus.com