20 Nëntor, 2023 - 11:40 am
Romani bestseller i shkrimtares amerikane Ann Napolitano, “Hello beautiful”, ka ardhur në shqip nga “Pegi”. Një stil rrëmbyes dhe një letërsi e mirë, bashkohen në një vepër ku ngjarjet vendosen në shekullin e XX-të.
“Ka shumë dhimbje e shumë dramë njerëzore. Është i shkruar jashtëzakonisht mirë. Përtej historisë dhe përtej asaj që mund të thuhet për atë që ndodh aty brenda, ajo që mbetet në mendje kur një libër është i mirë, kur një vepër vërtetë merr dhenë siç ka marrë ky libër, është mënyra se si është shkruar. Është letërsi e mirë dhe Ann Napolitano, profesoreshë në SHBA nuk e ka librin e saj të parë”, thotë botuesja Loreta Berhami.
Historia e romanit që zgjat pothuajse një gjeneratë, vjen përmes pesë pikëpamjeve të ndryshme, 4 motra dhe dhëndri i familjes.
“Zhvillimet jepen të alternuara nga pikëpamje të ndryshme dhe e vërteta që del nuk është asnjëherë univoke. Kjo është bukuria që gjatë gjithë librit, e mban lexuesin pezull, duke e pyetur veten, kush është fajtori këtu, a ka vërtetë fajtorë? Ka shumë dhimbje në libër por kush është fajtori, dhe ka shumë dashuri, por në fund të fundit, a mund ta shërojë dashuria gjithë këtë dhimbje, a mund t’i bëjë dashuria në fund fare këta njerëz, të bëhen të gjithë bashkë, të prehen të gjithë bashkë?”, tregon Loreta Berhami.
Me një histori dashurie mëkatare si bosht, romani “Hello beautiful” është një nga veprat më të lexuara këtë vit në SHBA./Shqip.com / KultPlus.com