21 Nëntor, 2023 - 2:13 pm
Banka e Shqipërisë përmes monedhës përkujtimore 50-lekëshe pa kurs ligjor, emetim i vitit 2003 përkujton një nga poliedrikët e kulturës shqiptare, në përvjetorin e lindjes, Jeronim De Radën.
Jeronim De Rada (Girolamo de Rada), poet, gjuhëtar, gazetar, studiues, veprimtar i palodhur, rilindësi i madh, i njohur jo vetëm si shkrimtari më i madh arbëresh, ndër të tjera përfaqëson një prej personaliteteve më të spikatura të lëvizjes nacionaliste shqiptare të shek. XIX në Itali.
Jeronim de Rada ishte mësues, botues, folklorist, filolog, poet dhe shkrimtar italo–arbëresh, themelues i Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Aktivitetet e tij publicistike, letrare dhe politike, ishin thelbësore jo vetëm për ndërgjegjësimin rreth minoritetit Arbëresh në Itali, por edhe për vendosjen e themeleve të një letërsie kombëtare shqiptare. Veprat e tij, në të cilat mbizotëron dashuria e zjarrtë për prejardhjen, janë një dëshmi e mbijetesës së identitetit shqiptar, i vënë përballë sfidave të shumta gjatë historisë. Më 1836, nxori botimin e parë të poemës së tij më të njohur në shqip “Këngët e Milosaos”, me titullin “Poezi shqiptare të shekullit XV”.
De Rada mbetet një figurë e lartë në historinë e letërsisë shqiptare të shekullit XIX. Ai luajti një rol të dukshëm në zgjimin e arbëreshëve nga errësira kulturore dhe krahinorizmi letrar dhe veproi si katalizator, jehona e të cilit u ndie fort përtej detit në Shqipëri që ende vuante nën zgjedhën osmane. / KultPlus.com