10 Dhjetor, 2023 - 9:58 am
Parku Kombëtar “Lumi Vjosa” do të ketë Qendrën Multifunksionale dhe Stacionet e Informimit, projekt që do të zbatohet nga studioja projektuese daneze “CEBRA A/S & Arup International Projects Limited & Barker Langham Limited & UNO”.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale projektin fitues të Konkursit Ndërkombëtar për Qendrën Multifunksionale të Parkut Kombëtar të Vjosës, që u shpall katër ditë më parë Tiranë.
Juria e përbërë nga kryeministri Edi Rama, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, shefi ekzekutiv i Patagonia Ryan Gellert dhe ekspertë kombëtarë e ndërkombëtarë të mjedisit, arkitektonikës e planifikimit të territorit vlerësoi projektin e kësaj studioje si më kreativi dhe inovativi në përputhje me kriteret e shpallura nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit si dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura për këtë konkurs.
Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij tha se “jam i bindur se ky projekt, i cili do të materializohet menjëherë pas shpalljes së fituesit, do të jetë projekti që do të hapë edhe atë shteg të perpsektivës së të ardhmes dhe për njerëzit e mbi të gjitha për vajzat dhe djemtë që rriten në mes të kësaj mrekullie të natyrës, që të gjejnë të gjitha arsyet ta ndërtojnë jetën aty, duke pasur mundësinë të jetojnë po aq mirë sa vetë Vjosa, të mbrojtur, të mbështetur edhe të financuar nga aktiviteti i tyre ekonomik dhe social”.
Projekti i dizajnit të grupit “CEBRA A/S & Arup Internatioonal Projects Limited & Barker Langham Limited & UNO” fituese u vlerësua si më afër zgjidhjeve arkitektonike në harmoni të plotë me natyrën dhe peizazhin si dhe për nxjerrjen në pah të vlerave natyrore, kulturore, trashëgiminë e historinë e zonës.
Lumi i Vjosës, si lumi i fundit i egër në Europë, u shpall në mars të këtij viti nga qeveria shqiptare “Park Kombëtar”, kategoria e dytë e mbrojtjes, që është shumë më e lartë nga ajo që kishte deri një vit më parë, thjesht “park natyror”./atsh/KultPlus.com