Biletat

14 Dhjetor, 2023 - 11:12 pm

Nga Ndue Ukaj

Biletat

Biletat i blejmë me çmimet që i përcakton tregu.
I kalkulojmë ndjenjat, mërzinë dhe gëzimin;
dashurinë minus mungesën e saj
dhe shohim se matematika shpie në rezultate të gabuara.

Të hutuar nëpër stacione ardhjesh e pritjesh gabojmë rrugën.
Presim trenin që shpie kah gëzimi, por ai na çon në dyert e trishtimit.
Pastaj të hutuar kthehemi prapa dhe e shohim se kemi humbë shumë.
Një termin pune, një kafe me personin e dashur që e prisnim gjatë
apo pjesën e fundit të një romani që e lamë pa përfunduar.

E mbyllim ditën dhe biletat i gjuajmë në hedhurina,
por nesër sërish na duhet një biletë e re.
Një rrugë për të parë piktura madhështore në Luver,
ose një shëtitje në mrekullitë e Romës
apo një përqafim buzëmbrëmje te deti i kujtimeve të mira.

Kur mbaron java, pushojmë dy ditë.
Dhe të dielën në mbrëmje i bëjmë llogaritë, si fëmija detyrat e shtëpisë:
parat janë harxhuar, muaji ka edhe ca ditë.
Duhet të blejmë biletën mujore për më shumë dashuri;
apo për dhimbje më të gjatë.
Në fund të muajit kalkulatori i ndjenjave bie përtokë
dhe përnjëherë çohemi peshë.
Muaji që vjen është më i mirë- vjen pranvera dhe ditët janë të gjata,
ose bie pikëllimi dimëror dhe netët janë të trishta.

Biletat i blejmë me çmimet që i përcakton tregu
dhe të hutuar shtegtojmë në stacione pritjesh
presim ditën e re që t’i mbyllim portat e gabuara.

Shkojmë në teatër dhe e marrim biletën për dëfrim,
por Tartufi na tregon se shpirti koprrac i botës jeton në çdo kohë.
Pastaj gudulisim vetveten dhe s’i hapim bebëzat të shohim
të vërtetën në sy, sepse hipokrizia është e modës.
Një ditë tjetër Hamleti ngjitet në skenë
i llastuar dhe me shikimin e mprehtë, pëlcet nga pezmi.
Ai sheh shumë fantazma që gërvishtin rrobat e lirisë,
dhe një tabelë me shënime të zhubravitura,
ku thuhet se gjithmonë varet prej nesh çfarë statistikash bëjmë,
ku e ngulim flamurin e mërzisë dhe ku atë të gëzimit./KultPlus.com

Të ngjajshme