22 Dhjetor, 2023 - 3:05 pm
Një histori e pabesueshme e dashurisë dhe përkushtimit ndaj kauzës që asnjë fëmijë të mos rritet i vetëm është shkruar nga një njeri i veçantë, miku i SOS Fshatit, Artan Hasani.
Ai, një punëtor, prind i përkushtuar dhe mbështetës i atyre që kanë nevojë, ka treguar anën e tij solidare, duke bërë një dhurim jashtëzakonisht të veçantë, një parcelë toke për fëmijët e SOS Fshatit.
Ky donacion është i veçantë jo vetëm për shkak të vlerës materiale të parcelës së tokës, por mbi të gjitha për ndjenjën e qëndrueshmërisë që sjell me vete. Artani ka kuptuar se jeta nuk është vetëm për të marrë, por edhe për të dhënë, për të ndarë dhe për të ndihmuar ata që kanë më shumë nevojë.
Fëmijët e SOS Fshatit tashmë e kanë në zemër pushimin dimëror dhe veror, por me këtë parcelë të dhuruar nga Artani, ata do të kenë një shtëpi pushimi të veçantë për familjet e tyre. Megjithatë, rruga për të arritur këtë ëndërr është ende e vështirë. Planifikimi arkitekturor, ndërtimi dhe mobilimi janë sfidat e ardhshme që duhet të përballen.
“Por me solidaritetin dhe mbështetjen e miqve, mund të të ndërtojmë një shtëpi pushimi që do të mbetet një vend i magjishëm për fëmijët e SOS Fshatit. Faleminderit, Artan, për shembullin e jashtëzakonshëm të dhurimit dhe për tregimin që bën mbi fuqinë e një njeriu për të ndryshuar jetë”, thuhet në njoftimin nga SOS Fshati. / KultPlus.com