27 Dhjetor, 2023 - 8:59 am
Në përmbushje të angazhimit për të sjellë një frymë të re në shërbimin ndaj qytetarëve, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) ka përuruar Teatrin dhe Kinemanë e Hapur.
Në oborrin e ridimensionuar të godinës së institucionit, me pjesëmarrjen e akademikëve dhe të dhjetëra studentëve, u ngrit sipari i hapësirës më të re kulturore që i shtohet kryeqytetit. Në ceremoninë inauguruese ishin të pranishëm Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido, Drejtoresha e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit (AQSHF), Marinela Ndria, përfaqësuesja e Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës (ASHAK), Shpresa Mekaj, zëvendësdekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Andi Pinari, historianet Eva Tafili Hyskaj dhe Esmeralda Kolaneci.
Fjala përshëndetëse u mbajt prej Bidos, i cili shprehu synimin për ta kthyer DPA-në një institucion tërheqës për të rinjtë.
“E kemi deklaruar që vitin e kaluar. Ne duam që ta bëjmë këtë institucion, një hapësirë që do mund të tërheqë të gjithë kreativitetin, sidomos të të rinjve. Ata mund të vijnë jo vetëm për të studiuar, por edhe që të mund të shohin historinë arkivore kombëtare, të kenë të gjithë ambientet që të mund të shpërfaqin talentin e tyre. Më vjen mirë që këtë vit, këtë traditën tonë që të trokasim gotën e fundvitit, ta bëjmë në këtë ambient, kinema verore, së bashku me miq të institucionit.”- tha kreu i DPA-së.
Në vijim, mori fjalën Ndria, e cila vlerësoi nismën e DPA-së dhe bashkëpunimin e vijueshëm ndërinstitucional.
“Falenderoj DPA për këtë ide të mrekullueshme. Mes nesh ka një bashkëpunim të frytshëm. Kemi materiale sot, pamje shumë të bukura nga historia e Shqipërisë.” – u shpreh drejtuesja e AQSHF-së.
Më tej, mbajti një fjalë rasti Mekaj, e cila e cilësoi Teatrin dhe Kinemanë e Hapur një ambient madhështor.
“Kam kënaqësinë që në emër të Arkivave të Kosovës, t’ju përshëndes të gjithëve dhe t’ju uroj për hapjen e këtij ambienti madhështor. Jam kurioze të di se çfarë ka tjetër në plan Arditi, sepse i realizoi të gjith”,- tha Mekaj.
Ndërsa, Pinari çmoi lehtësimin e qasjes në dokumente, në sajë të procesit të digjitalizimit dhe çeljes së Këndeve Arkivore. “Për ne Arkivi është vëllai ynë binjak sepse me të kemi bashkëpunim të jashtëzakonshëm. Transformimi juaj është i jashtëzakonshëm. Vërtet jeni lodhur shumë, por për ne në Fakultet çdo gjë është bërë më e lehtë. Mund të punojmë online. Gjëja e parë që bëj çdo mëngjes është të shoh faqen tuaj në ‘Facebook’ dhe në ‘Instagram’ me informacione të reja. Neve në Fakultet, Arkivi na frymëzon”,- tha Pinari.
“Janë ditët e fundit të vitit dhe gjithsecili bën bilancet. Po të bësh një bilanc të Arkivit, duket se ka arritje të jashtëzakonshme. Surpiza e radhës është ky amfiteatër/kinema, që është në radhë të parë dhuratë për studentë e Departamentit të Historisë. Besoj se do jenë studentët tanë, ata që do e frekuentojnë më shumë këtë amfiteatër/kinema.”- tha studiuesja Hyskaj.
“Ky amfiteatër do të shfrytëzohet jo vetëm nga studentë, studiues, por edhe nga qytetarë gjatë ditëve të verës, për ta njohur historinë përmes vizualizimit.”- përfundoi Kolaneci.
Në përmbyllje të aktivitetit u shfaqën disa materiale filmike nga AQSHF-ja. Mes këtyre dokumentarëve të shkurtër, u transmetuan fragmente nga filmi i parë shqiptar, “Rrethimi i Shkodres nga trupat malazeze” (1913), “Shqipëria 1914” (1914), “Pamje nga Shqipëria e viteve 1920-1928”, “Pamje nga jeta e Durrësit” (1914) dhe “Ardhja e Princ Vidit” (1914).
Teatri dhe Kinemaja e Hapur zotëron një kapacitet prej 140 vendesh dhe synon t’i adresohet të rinjve, përmes një shërbimi që ndërthur edukimin me zbavitjen. Ky projekt vjen në vazhdën e nismave të herëpashershme të DPA-së, për përsosjen e veprimtarisë së saj në drejtim të ruajtjes dhe të promovimit të pasurisë kombëtare historike dhe kulturore.
Në vitin 2021, falë një investimi të qeverisë shqiptare, DPA-ja i dha fund një problemi më shumë se 30-vjeçar me prazantimin e Vendruajtjes së re të Dokumenteve të Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH) në Shkozë, ku dokumentacioni konservohet në kushte optimale, në një hapësirë prej 1850 metrash katrorë, me dy kate dhe 8 depo. Ndërsa, në vitin 2022, DPA-ja ndryshoi krejtësisht faqe, duke i dhënë trajtë një projekti që e shndërron Arkivin në një kompleks të mirëfilltë kulturor. Teatri dhe Kinemaja e Hapur është një gur kilometrik i këtij projekti, që parasheh edhe çeljen e Muzeut Arkivor dhe të një ambienti studimi në natyrë./atsh/ KultPlus.com