30 Dhjetor, 2023 - 2:00 pm
Uranik Emini
E njohur për performancat e saj magjepsëse dhe lidhjen e thellë me pianon, rrugëtimi dhe stili i Anila Aliut, ngjallin reminishenca të Martha Argerich, pianistes më të shquar për pasionin dhe aftësitë e saj teknike në botë.
Që në moshë të re ishte evidente talenti i saj me pianon. Në vitin 2008, ajo hodhi hapat e saj të parë në botën e muzikës, duke u regjistruar në Shkollën e Muzikës në Gjilan. Talenti i saj i lindur për të luajtur në piano doli në pah dhe një dashuri e thellë për instrumentin filloi të merrte formë.
Rrugëtimi i Anilës e çoi atë nga festivalet dhe garat vendore në Kosovë në skena ndërkombëtare, ku ajo sfidoi veten kundër konkurrentëve nga e gjithë bota. Me çdo shfaqje, ajo ndjente ngazëllimin e skenës dhe kuptoi se jeta e saj do të jetë e lidhur përjetësisht me këtë formë arti, shkruan KultPlus.
“Talenti im për muzikë është shfaqur qysh në fëmijëri të hershme, qysh nga viti 2008 kur kam filluar klasën e parë të muzikës në Shkollën e Muzikës në Gjilan. Që nga fillimi është vërejtur talenti në lojën time pianistike dhe pasioni e dashuria që kam pas për të. Kështu që me punë intensive fillova të përgatitem për paraqitjet e mia të para skenike, merrja pjesë në festivale dhe gara në Kosovë. Pastaj kur e pashë suksesin këtu, vendosa që të sfidoj veten me konkurrentë ndërkombëtarë në shtete të ndryshme të botës. Edhe garat ishin ato të cilat më kanë motivuar që të vazhdoj secilin vit. Nuk ka pasur vit dhe mund të them edhe muaj që Anila nuk ka qenë prezentë në skena të ndryshme. Më pëlqente ndjenja që publiku ta ofronte, më pëlqente emocioni në skenë; kështu që pas secilës performancë e kuptoja që mezi prisja për atë të radhës dhe kështu e kam kuptuar gradualisht që unë nuk mund të jetoj pa këtë art”, thotë ajo.
Rruga e Anilës nuk ishte pa sfida dhe pengesa. Si artiste nga Kosova, ajo u përball me pengesa të shumta, që nga çështjet e vizave për udhëtime ndërkombëtare e deri te komplikimet politike dhe të pasaportave. Megjithatë, me gjithë këto vështirësi, ajo ngulmoi, e shtyrë nga vullneti dhe dashuria e palëkundur për pianon, drejt sukseseve kulminante.
“Pavarësisht se çka bëjmë, pavarësisht se kush ne dëshirojmë që të jemi, arritja e sukesit bëhet vetëm me vendosmëri, punë, dëshirë, këmbëngulje, disiplinë dhe sakrifica të shumta. Por, unë mendoj që vullneti dhe dashuria janë dy komponentët që arrijnë me mposhtë çdo pengesë dhe barrierë që ne hasim gjatë ndërtimit të një karriere. Natyrisht duke marrë parasysh që jam një artiste nga Kosova, mund ta merrni me mend se jemi ballafaquar me situata të ndryshme, duke filluar prej sigurimit të vizave në udhëtimet jashtë vendit, në shumë performanca nuk e kam ditë deri në momentin e fundit a do të udhëtojë a jo, për arsye të probleme politike, të pasaportave dhe të vizave. Kjo ka qenë një prej punëve më të lodhshme. Pastaj në përgjithësi nuk është që kam gëzuar të drejtat e barabarta me artistët, me kolegët, muzicientët të shteteve të tjera, p.sh. me gjermanët, me austriakët, në tjera kushte jam rritur unë e jam zhvilluar unë si artiste, duke marrë parasysh mungesën e kushteve, sallave koncertale, e në krejt diçka tjetër janë rritur artistët në shtetet e tjera që kanë pasur përkrahje maksimale prej shtetit të tyre. Mirëpo, pa marrë parasysh të gjithave, krahas gjithë vështirësive unë kam gëzuar gjithmonë përkrahje nga njerëzit e mi dhe kam gëzuar përkrahje edhe nga profesorët e mi, sidomos atyre ndërkombëtarë që më kanë zgjatur dorën që unë të depërtoj jashtë Kosovës dhe ta shfaq talentin tim. Tërë kjo aftësi artistike që e kam pasur të zhvillohet dhe të mos ngecet e të pësoj më shumë për shkak të kushteve që nuk janë të pranishme në Kosovë”.
Ajo e kuptoi se suksesi mund të arrihej vetëm përmes vendosmërisë, punës së palodhur, disiplinës dhe sakrificës, dhe ishte e gatshme të bëntë gjithçka për të shkuar deri në fund.
“Një sfidë tjetër është këmbëngulja që duhet ta bëjmë çdo ditë, është heqja dorë e shumë gjërave në jetë, nuk jam rritur njësoj sikurse moshtarët e mi, shoqëria ime, kam munguar tërë kohës në çdo mbledhi shoqërore e familjare, kam hequr dorë e jam dedikuar 100 për qind këtij profesioni dhe mund të them që për shumë vite radhazi, e me muaj të tërë krejt ajo se çfarë kam bërë ka qenë gjumë, ushqim dhe punë në piano. Ka pasur periudha kur edhe pse në të njëjtën shtëpi, as prindërit nuk më kanë parë, aq e dedikuar që kam qenë. Orët që kam kaluar në piano, kanë qenë të panumërta. Stresi që e përjetojmë ne si artistë tërë kohës është diçka tjetër, edhe pse tash jam mësuar me të. Performancat në skenë dhe ato të drejtpërdrejta kanë shumë presion dhe duhet me të vërtet një karakter jashtëzakonisht i fortë që t’iu bëjë ballë këtyre gjërave. Performancat që janë jashtëzakonisht të rëndësishme dhe ato që luajnë rol në kahjen se nga do të shkosh ti si artiste, është thjeshtë shumë streuese.. Kam pasur performanca që kam punuar me vite të tëra, ku vetëm për disa minuta t’i duhej të paraqisje gjithçka nga vetja jote te kritikët më të mëdhenj në këtë fushë. Karakteri fortë, guximi dhe vetëbesimi janë kyçe në këto situata. Sfida ka sa të duash, por nëse me këmbëngulje e dëshiron suksesin, duhet të jesh gati t’i bësh ballë gjithçkaje”.
Udhëtimi i saj pasqyron gjithashtu rritjen që po ka çdo ditë muzika klasike në Kosovë. Ndërsa zhanri i këtij arti zuri rrënjë më vonë në vendlindjen e saj, në krahasim me kombet e tjera, janë përpjekjet e artistëve të përkushtuar si Anila dëshmi që muzika klasike po fiton popullaritet dita-ditës. Ajo e sheh muzikën klasike si një thesar kulturor, një zhanër i përjetshëm që pasqyron thelbin e çdo epoke. Për Anilën nuk është çështja nëse muzika klasike do të mbijetojë, por si mund të kontribuojë në rritjen dhe përfaqësimin e saj në skenën botërore.
“Nëse flasim për muzikën klasike në përgjithësi është diçka tjetër prej asaj në shtetin tonë, sepse tek ne muzika klasike ka filluar jetën e saj shumë më vonë krahasim me shtetet e tjera. Unë e shoh shumë normale që të qëndrojmë më mbrapa në lulëzimin e saj. Megjithatë, falë organizimeve dhe artistëve mqë po e përfaqësojnë Kosovën jashtë vendit, mendoj që muzika klasike ka filluar që të gëzojë popullaritet më të madh dita e ditës. Në përgjithësi mendoj që ajo është kultura e një shteti dhe është dëshirë e imja që të kem rol në ngritjen dhe përfaqësimin e saj kudo në botë. Muzika klasike është thjesht një pasuri, një thesar, një diçka prej së cilës ne arrijmë të shohim çdo periudhë të jetës. Është diçka që pasqyron secilën epokë, diçka që të bën human, ndikon në zhvillimin tënd si person. Kështu që, rëndësia e saj është e jashtëzakonshme dhe shpresoj që njerëzit do t’ia dinë vlerën një ditë, sepse sa i përket asaj se a do të jetojë apo jo, as që e vë në pikëpyetje, është zhanri që nuk vdes kurrë”.
Në udhëtimin e saj muzikor, Anila merr frymëzim nga fëmijëria e saj, ku ishte e “rrethuar” nga pianistë të jashtëzakonshëm si Martha Argerich dhe Evgeny Kissin. Megjithatë, ajo ia atribuon një pjesë të madhe të rritjes dhe suksesit të saj mentorit të saj, një profesori që njohu potencialin e saj dhe ushqeu talentin fuqishëm. Falë mbështetjes së mentorëve, mësuesve dhe kolegëve, të cilën ishin shtytësit kryesor, Anila ka arritur në artisten që është sot.
“Mund të them që prej fillimeve të mija, kam pasur muzicientë, sidomos pianistë të shquar që i kam dëgjuar çdo ditë dhe prej të cilëve jam inspiruar jashtëzakonisht shumë. Martha Argerich ka qenë e para prej të cilës jam inspiruar, pastaj edhe Evgeny Kissin, të cilin kam pasur fatin edhe ta takoj. Por, ndikimin tim më të madh në zhvillimin tim si artiste mendoj që e ka pasur profesori im, me të cilin kam punuar me vite radhazi dhe i cili më ka hapur dyert për ndërtimin e një karriere pianistike, koncertuese në një moshë jashtëzakonisht të hershme, diçka që as në ëndrra se kam parë që mund ta arrijë në moshën 18 vjeçare. Atyre personave u jam shumë mirënjohëse, atyre që më kanë bërë ta shoh se çka jom e aftë të bëj. Dhe ata të cilët kanë punuar pa asnjë interes në zhvillimin tim si artiste, vetëm pse kanë parë talentin dhe aftësitë e mia të zhvillohem si një artiste, diçka që në Kosovë, fatkeqësisht nuk e hasim”.
Rrugëtimi i Anilës është shënuar me arritje të rëndësishme, duke përfshirë çmime dhe mirënjohje të shumta.
“Natyrisht garat kanë qenë ato të cilat më kanë mundësuar shumë performanca si pianiste dhe gjithashtu m’i kanë hapur dyert në skena të rëndësishme të botës. Dhe pastaj, pas atyre performancave kam arritur që të njoh personalitet të shquara, pianistë të famshëm që sot i kam miq e kolegë, kam arritur të njoh dirigjent që më kanë mundësuar dhe organizuar edhe turne, kam arritur që të njoh profesorë të ndryshëm që kam pasur fatin që të punoj edhe me ta dhe të zhvillohem edhe më shumë. Ndikimi i pjesëmarrjes në gara është pikërisht fusha ku ne e shfaqim talentin tonë, pjesëmarrja në gara është gjëja më e mirë që një artist mund ta bëjë në fillimet e karrierës”.
Turneu i saj në Meksikë spikat si një kulm në karrierë, ku performoi si soliste me një orkestër meksikane, duke u gëzuar në ngrohtësinë e duartrokitjeve të publikut.
“Mund të them që ka qenë kulmi i karrierës sime, një turne i madh e një organizim i jashtëzakonshëm. Në qytete të ndryshme të Meksikës, unë kam qenë soliste me orkestrën meksikane, një prej përvojave më të mira, nuk e di se si ta shpjegoj, është shumë e vështirë të gjinden fjalët e duhura ta përshkruaj pritjen e jashtëzakonshme që unë e kam marrë atje. Jam ndje si një artiste e nivelit më të lartë botëror, organizimi ka qenë në atë nivel saqë e kam ndjerë veten si me qenë Martha Argerich, në nivel botëror. Provat me orkestrën, pastaj lëvizja e udhëtimet në qytete të ndryshme, pritja e jashtëzakonshme, sallat e mrekullueshme, kushtet fantastike. Publiku ka qenë pothuajse në çdo qytet, sallat kanë qenë të mbushura. Duartrokitjet e shumta dhe madje edhe standing-ovations, një prej kulminacioneve të karrierës sime”.
Ky turne jo vetëm që e ngriti atë si artiste, por shërbeu edhe si një platformë për të prezantuar Kosovën në botë, një mision që ajo e merr për zemër.
“Çdo njeri në publik, çdo anëtar i orkestrës, nuk e dinin se ku është Kosova dhe përmes meje dhe artit tim, modestinë anash, mijëra njerëz e dinë të paktën se ku gjendemi ne. E kuptoj që këto arritje politike nuk janë të lehta, e marrëdhëniet mes shteteve edhe më vështirë, por unë e shoh si të suksesshme këtë turne. Në çdo koncert ku shkoj, unë e prezantoj Kosovën dhe e paraqes shtetin tim në mënyrën më të mirë të mundshme. Kam kaluar një muaj në Meksikë dhe kam kaluar kohë të shumtë më muzicientë të ndryshëm, e interesimi i tyre për historinë e shtetit tonë ishte i madh. Kur i kam njoftuar se në çfarë ka kaluar populli jonë, të gjithë na kanë përkrahur dhe janë prekur nga historia e shtetit tonë. E shoh si arritje shtetërore, dhe jo personale. Por, puna nuk ndalet asnjëherë dhe unë do të vazhdoj kudo që të shkoj, është një ndjenjë jo e mirë e më dhemb zemra kur publiku ose miqtë e mi, p.sh. në Azi, nuk e kishin idenë se ku ndodhet Kosova. Është i lodhshëm fakti kur njerëzit më pyesin nga vjen dhe gjithmonë përgjigjja e tyre është: ku është ai vend? Mund të them që 80 për qind të rasteve nuk e dinë se ku ndodhemi. Unë dua të lë gjurmë me këmbëngulje kudo që shkoj, në të gjitha aspektet. Pas turnet në Meksikë, normalisht kam pasur performanca të shumta, tashmë jetoj dhe veproj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kështu që kam pasur pesë performanca atje”.
Përkrahja e shumtë nga profesori i saj Adam Neiman nga Roosevelt University – CCPA, është diçka shumë e çmuar për pianisten kosovare. Ajo vlerëson shumë rolin që ky universitet dhe profesor ka patur në rrugëtimin e saj artistik.
“Profesorin Adam Neiman dhe universitetin “Roosevelt University- CCPA” dua t’i falënderoj për përkrahjen dhe mundësitë që m’i kanë ofruar dhe po vazhdojnë t’i ofrojnë te unë, me ç ‘rast edhe po rritem si artiste dhe po depërtoj më tutje në skenat amerikane”, shprehet Aliu.
Një nga momentet e saj të paharrueshme ishte ndarja e skenës me pianistët e njohur Mikhail Pletnev dhe Dmitry Shishkin në Kroaci. Këta ishin artistë që dikur i kishte adhuruar dhe tani janë bërë kolegë. Është një testament i rrugëtimit të saj, ku idhujt bëhen kolegë dhe ëndrrat marrin kuptim; duke u bërë realitet.
“Koncerti im në Kroaci në Piano Loop Festival në Split të Kroacisë ka qenë prezenca e pianistit Mikhail Pletnev dhe Dmitry Shishkin që janë dy prej emrave më të mëdhenj të muzikës klasike, dy pianistë shumë të famshëm që i njeh e gjithë bota dhe dy persona që unë i kam dëgjuar dhe jam rritur me videot e performancat e tyre. Deri në vitin 2021, unë ata i kam parë si diçka e paprekshme dhe shumë larg, e shumë e vështirë për t’u arritur, si yje e idoll. Ndërkaq, në atë koncert ata të dy kanë qenë të pranishëm në publik. Unë kam koncertuar atje krahas emrave më të mëdhenj të muzikës klasike, e të cilët sot i kam miq dhe mund të them që kjo ka qenë një ëndërr e imja e bërë realitet, kur idhujt e tu bëhen kolegët e tu, është një prej gjërave më të veçanta që njeriu mund t’i përjetoj në jetë”.
Skena është një vend i magjisë dhe frikës. Anila e pranon se frika e skenës nuk zhduket kurrë; ka të bëjë me menaxhimin e atyre nervave dhe emocioneve për të ofruar një performancë të paharrueshme. Përmes përvojës, ajo ka mësuar të shfrytëzojë emocionet e saj për të ushqyer edhe më shumë artin e saj.
“Shumë njerëz më thonë që t’i je mësuar, qe 16 vite në skenë ose ti ose askush tjetër, sepse është e vërtetë që prej fillimit të karrierës kam qenë tërë kohës duke u përgatitur për performanca dhe gati se çdo muaj kam qenë në skena të ndryshme, kam përvoje e shumë eksperiencë. Kam pasur performanca të nivelit, ku stresi ka qenë kulminant dhe presioni shumë i madh, edhe njerëzit sot mund të thonë që ti je mësu dhe nuk ke më stres, por kjo nuk është e vërtetë, stresi i skenës nuk largohet asnjëherë, është diçka shumë e natyrshme që nuk mund ta mohoj askush. Të njëjtën e them edhe unë, mirëpo duhet të arrihet një nivel që di ta menaxhoj atë, di t’i menaxhoj emocionet, e kjo vjen vetëm me eksperiencë dhe përvojë. Mundohem t’i menaxhoj dhe drejtoj emocionet, në mënyrë që ato të jenë në anën time, e të më ndihmojnë të fali një performancë të paharrueshme te publiku. Unë kam arritur në këtë nivel, që di t’i menaxhoj emocionet, dhe t’i përdori ato në mënyrën më të mirë të mundshme, duke më dhënë forcë e fuqi përpara”.
Duke parë përpara, Anila është e emocionuar për projektet dhe bashkëpunimet e saj të ardhshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo i është përkushtuar rritjes dhe mësimit të vazhdueshëm, si artiste dhe si person. Pasioni i saj për muzikën nuk njeh kufij.
“Do të jem në Amerikë deri në muajin maj ose qershor të vitit tjetër, kam shumë punë e projekte për të cilat jam duke punuar. Kam një recital shumë të rëndësishëm në Prill, është në një prej festivaleve më të rëndësishme amerikane, prandaj jam shumë e nderuar që një natë e këtij festivali i është kushtuar Anilës. Sa i përket bashkëpunimeve, jam në kontakt me muzicientë amerikan dhe jo vetëm, e jemi në përgatitje të një incizimi profesional me grupin e Vaughan Williams: Piano Quintet dhe kemi filluar punën, e unë po shpresoj që gjithçka të shkojë siç duhet”.
Muzika, për Anilën, nuk është vetëm një karrierë; është një mënyrë jetese. Ajo ka luajtur një rol kryesor në formimin e karakterit të saj, personalitetit dhe stilit të saj të jetesës. Ajo ka përshkuar çdo aspekt të qenies së saj. Ajo nuk e ndan karrierën e saj nga jeta e saj personale; në vend të kësaj, ajo i sheh ato si të ndërthurura, të pandashme. Edhe pse vazhdimisht mundohet që të jetë një krahë i afërt për rrethin e ngushtë, duke u kujdesur për shëndetin dhe rritjen personale, karriera e saj mbetet parësore. Nuk është diçka që ajo e ndan nga vetja; është pjesë përbërëse e asaj se kush është ajo.
Pianistëve dhe artistëve të rinj, pianistja tanimë e njohur ndërkombëtarisht u ofron këshilla të vlefshme. “Talenti mund të hapë dyert, por është karakteri dhe vendosmëria që të mbajnë atje. Vendosja e qëllimeve, puna e pamëshirshme drejt tyre dhe besimi në veten tuaj janë çelësat e suksesit në botën e muzikës”.
Si anëtare e jurisë së Festivalit në RTSH, Anila reflekton për privilegjin dhe nderin e të qenit në mesin e artistëve të vlerësuar që kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në muzikën shqiptare. Ajo e sheh festivalin si një thesar kulturor.
“Edhe kjo ka qenë një ndër eksperiencat më të mira që kam pasur. Jam ndjerë shumë e privilegjuar, për ftesën fillimisht, pasi kam qenë emri më i ri aty. Duke e parë vetën afër artistëve me emra të mëdhenj, para shumë viteve idhujve të mijë, dhe tani unë gjatë këtij festivali kam kaluar pesë ditë kohë me ta si kolegë. Jam shumë mirënjohëse ndaj drejtori të festivalit për ftesën, për besimin që kanë pasur ndaj meje, për vlerësimin dhe për pritjen e ngrohtë e dashurinë që më ka falur publiku shqiptarë gjatë atyre ditëve. Ka qenë një përvojë fantastike dhe është nder e kënaqësi të jesh e rrethuar nga muzikantë të cilët kanë dhënë kontributin e tyre për shumë vite në zhvillimin e muzikës shqiptare. Festivalin e këngës e konsideroj si një prej thesareve kulturore, kështu që pjesëmarrja ime si një anëtare e jurisë në këtë edicion është një privilegj dhe nder i vërtetë”.
Rrugëtimi i Anilës e ka çuar atë nga skenat evropiane në mundësitë amerikane. Edhe pse kushtet për artistët në këto rajone mund të ndryshojnë, përkushtimi i saj i palëkundur mbetet konstant. Ajo kujton një performancë në Kosovë ku pikat e shiut binin pranë pianos, një kontrast i thellë me skenat magjepsëse që kishte jetuar për disa momente, në turnetë e saj ndërkombëtarë. Përvoja të tilla vetëm sa e kanë forcuar vendosmërinë e saj për të ndjekur e realizuar ëndrrat.
“Amerikanët dhe evropianët fatmirësisht i gëzojnë të gjitha kushtet për zhvillimin e artit, prandaj nuk më ka munguar asgjë, por diçka që mbaj mend është performanca ime vitin e kaluar me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës, në nëntor të vitit të kaluar, ku gjatë kësaj performance në Sallën e Kuqe, pas gjithë sallave glamuroze që kalova në turne të ndryshme, unë rikthehem në Kosovë dhe është vetëm salla e Kuqe ku mund të performohet atje. Atë natë bie shi në Prishtinë dhe ajo se çfarë ndodhi është se gjatë performancës, shiu pikonte në sallë, shumë afër pianos dhe madje i ka penguar shumë edhe dirigjentit, sepse i ka pasur partiturat dhe pjesët ku ka dirigjuar shumë afër tij, dyshemeja ka qenë tërësisht e lagur. I kemi këto kushte dhe nganjëherë është për të ardhur keq, por kemi një karakter shumë të fortë që na shtyn përpara të punojmë, pa marrë parasysh këtyre gjërave”.
Vizioni i saj afatgjatë është të përfaqësojë Kosovën dhe të ndajë artin e saj me botën.
“Ndër qëllimet e mija kryesore ka qenë prezantimi im dhe i shtetit tim në Evropë dhe në botë, e ndër qëllimet e tjera ka qenë ngjitja në skenat prestigjioze, botërore, e kjo po realizohet dhe po realizohet dita e ditës. Unë me të vërtet kam prekur ëndrrat, shumë prej gjërave që i kam ëndërruar dhe i kam manifestuar, dhe jam dëshmi se nëse punon fort dhe nëse guxon, ëndrrat bëhen realitet”.
Dy pjesë muzikore shumë të veçanta për Anilën janë dy kapituj të thellë në rrugëtimin muzikor të saj, secili me rëndësi unike dhe emocionale.
“I kam dy pjesë të veçanta: është koncerti në D Dur: nga Joseph Haydn, është një pjesë e veçantë për mua për arsye që e kam interpretuar në moshën 11 vjeçare së bashku në koncertin me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës dhe kjo është pjesë e historisë së Kosovës. Sa e re kam qenë në moshë dhe është diçka që më ka futur në pjesën e botës së muzikës dhe përjetimi im i parë se si do të thotë të luash me një orkestër. Gjithmonë më kujtohen këto ditë, sa herë që jam me ndonjë orkestër. Koncerti tjetër është Prokofiev: Piano Concerto No. 2, që konsiderohet si vepra më e vështira e muzikës për piano dhe me të vërtet është vepra më sfiduese për nga vështirësia, fuqia në të cilën duhet të jepet. Është diçka shumë e veçantë për mua për arsye se mentori im amerikan më ka besuar mua këtë vepër. Kemi filluar që të punojmë së bashku dhe e kam pasur ëndërr që ta luaj dikur në moshën 40 vjeçare. Megjithatë, profesori më besoi mua dhe në moshën 23 vjeçare, kur e shihja që ai ka besim në mua, edhe unë tani po i besoj vetes. Është diçka kur dikush të jep një krahë përpara, ti je në gjendje të bësh gjithçka”.
Anila e sheh talentin dhe artin e saj si bekim nga Zoti. Si e tillë, ajo ndjen një përgjegjësi të thellë për të ndarë talentin e saj me të tjerët.
“Çfarëdo që mendja e njeriut mund të arrijë ta konceptojë, mund ta arrijmë. Për gjërat të cilat unë punoj edhe mund të arrihen, këtë gjë edhe e kam vërtetuar. Gjërat që i kam imagjinuar si fëmijë, sot po i jetoj si e rritur. Jam e sigurt që do të vazhdoj me këtë mendësi, të punoj përpara duke dhënë maksimumin tim. Kjo është jeta dhe asnjëherë nuk është e mjaftueshme. Ne duhet të mundohemi e të vazhdojmë drejt krijimit të një jete për të cilën ne kemi ëndërruar dhe punuar gjithmonë. Sa i përket trashëgimisë, dua të lë gjurmë në zhvillimin e muzikës klasike në të gjithë botën, natyrisht dua të lë gjurmë si një ambasadore e artit dhe kulturës, dhe të reprezentoj, gjithmonë, jo vetëm veten time por edhe vendin tim. Artin, talentin dhe gjithçka që Zoti më ka falur, ta ndaj me njerëzit në të gjithë botën”, përfundon ylli i muzikës klasike.
Historia e Anilas vjen si një përzierje e rritjes së saj personale, përsosmërisë artistike që ajo ka arritur dhe kontributit për Kosovën, gjë që vazhdon ta frymëzojë edhe atë personalisht. Rrugëtimi i saj, nga fillimet modeste në Gjilan deri në skenat madhështore të botës, i ka shndërruar ëndrrat në realitet dhe ajo është një dëshmi e fuqisë së talentit, vendosmërisë dhe dashurisë së palëkundur për muzikën.