30 Prill, 2018 - 10:26 am
Sot bëhen 19 vjet nga rënia heroike e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ilaz Kodra, i cili ka qenë pjesë e celulave të para të UÇK-së dhe pjesëmarrës i të gjitha luftërave në Drenicë dhe rrethinë.
Me këtë rast do të mbahet një tubim përkujtimor te pllaka përkujtimore në Vërboc dhe një akademi përkujtimore nën përkujdesjen e kryeministrit Ramush Haradinaj në Teatrin Kombëtar.
Ilaz Ismajl Kodra lindi më 3 maj të vitit 1966 në lagjen Kodra të Prekazit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa tetëvjeçaren dhe shkollën e mesme, Gjimnazin, i ka kryer në Skenderaj. Pas kryerjes së shkollës së mesme, regjistrohet në Shkollën e Lartë Komerciale në Pejë. Shërbimin e detyrueshëm ushtarak e ka kryer në Slloveni.
Ndikimi atdhetar, që kishte ushtruar te rinia përparimtare dhe revolucionare e Prekazit e më gjerë, akti heroik dhe qëndresa e Tahir dhe Nebih Mehës, më 13 maj të vitit 1981, kundër policisë jugosllave, i kishte dhënë impulse idesë së vazhdimit pa kthim të rezistencës së armatosur kundër pushtuesit. Edhe Ilazi, ashtu si më parë Adem dhe Hamëz Jashari kishin mendime identike lidhur me nevojën e fillimit të luftës së armatosur, në kohën kur po shihej mirëfilli se Jugosllavia do të shpërbëhej dhe kur tashmë kishte filluar shkatërrimi i saj me ndar jen e Sllovenisë dhe me fillimin e luftës në Kroaci e më vonë edhe në Bosnje e Hercegovinë./ KultPlus.com