Gratë

13 Janar, 2024 - 7:00 pm

Mario Benedetti

Gratë janë prej hekuri, jo prej qelqi…
Ka lloje femrash që nuk lexojnë poezi, që nuk blejnë libra, që pinë kafe në vend të kapuçinos, që nuk dinë për shkrimtarë dhe poetë, por rrugën për në shkollë e dinë.

Gra të guximshme, gra prej cope që nuk thyhet, që nuk çahet, që nuk prishet; gra të forta. Të tilla janë ato që ti i shikon duke shitur fruta në tregje ose nën ura, në parqe, kioska dhe rrugë; ato që nuk dinë për teknologjinë, as të flasin anglisht, por dinë të të përshëndesin, duke buzëqeshur, dinë të të thonë: me leje, faleminderit, të lutem, etj., gjithmonë me buzëqeshje.

Ato lumturohen, kur ndihmojnë të tjerët; nëse do të flasësh me to, për dhjetë minuta, ato do të ndryshojnë perceptimin tënd për jetën.
Gra si toka nënë, pjellore, të qeta, të mençura, mbrojtëse, të forta. Ato sëmuren dhe nuk ankohen, sepse janë prej lënde të fortë.
Brenda secilës prej tyre jeton dashuria, mirëkuptimi, mençuria, forca, respekti dhe një prejardhjeje që refuzon të vdesë.

Në shqip: Bajram Karabolli / KultPlus.com

Të ngjajshme