15 Janar, 2024 - 11:31 pm
“Mbjellja e pemëve” ishte filmi me metrazh të shkurtër i cili u transmetua në aktivitetin e rradhës të Qendrës për Hapje dhe Dialog (COD) nga cikli “Kinemaja në Rajone”.
“Mbjellja e pemëve” nga regjisori Fabio Seferi, produksion i vitit 2021, i mundësuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë së Shqipërisë, u shfaq në bibliotekën “Thimi Mitko” Korçë.
Të pranishmit diskutuan rreth tematikës së filmit dhe pjesëmarrjes së aktorëve të njohur si: Luiza Xhuvani, Kastriot Caushi, Alert Çeloaliaj si dhe i ndjeri Gulielm Radoja, për të cilin ndodhi të ishte filmi i fundit ku do merrte pjesë.
Filmi flet për një djalë të ri, i cili burgoset në kohën e komunizmit për shkak se kapet në befasi duke lexuar një libër të letërsisë së ndaluar të asaj kohe. Gjatë gjithë filmit na shfaqen vuajtjet e tij në birucë, bashkë me shokët e qelisë si dhe peripecitë që nënës së tij i duhet të kalojë për të kontaktuar me djalin e saj në burg./atsh/KultPlus.com