19 Janar, 2024 - 9:03 am
Mikaela Lala, është një e re nga Kukësi, e cila falë përkushtimit të saj po mban gjallë traditën artizanale të tapeteve tipike shqiptare.
Me mbështetjen e një projekti që financohet nga BE-ja, Mikaela ka arritur të rinovojë laboratorin ose punishten e saj, ku end tapetet me motive karakteristike të zonë së veriut të Shqipërisë, dhe sipas mënyrës dhe modeleve që i ka trashëguar nga nëna e saj.
“Qëllimi im është të mbaj gjallë traditën e qytetit, nëpërmjet këtij biznesi familjar të trashëguar. Kjo traditë është e lidhur ngushtë me identitetin e Kukësit. Falë projektit të financuar nga BE mora pajisjet e nevojshme për prodhimin e sixhadeve”, thotë Lala.
Sipas saj, iniciativa të tilla ngjallin traditën kombëtare dhe janë shembull i inicimit të nismave të tjera që i shërbejnë ekonomisë familjare lokale dhe turizmit.
Mikaela, nën moton “dhuro profesionin, gjallëro traditën” ka arritur të bëj bashkë gra dhe vajza të Kukësit, që me pasionin për punimin artizanal, krijojnë punime tradicionale, duke kthyer punishten e saj në një pikë turistike në zonën e saj./ atsh / KultPlus.com