27 Janar, 2024 - 6:31 pm
Nga Pjetër Logoreci
Shkodër, 26.1.2024
Ata erdhën n’Shkoder n‘pranverën e vjetit 1993.
Doreen Klemens, grueja e atdhetarit shkodran Anton Logoreci, gazetare n’nji revistë
prestigjioze angleze e djali i saj Philipi, pedagog i Kimisë e Biologjisë n’Cambridge. Për shumë
dekada familja londineze nuk u lejue me vizitue Shkodren, aq sa Antoni 83 vjeçar mbylli sytë
i dishruem pa takue t’dashtunit e tij.
Mbasi shuen mallin me familjarët e vizituen vendet ma t’bukura t’Shkodres, miqtë, patën
shumë takime t’organizueme nga parija e qytetit n’nderim t’tyne. N’diten e tretë, me krye nji
amanet t’ndjerit Anton, m’kërkuen me takue z. Qazim Dërvishin.
Atë kohë Qazimi 85 vjeçarë jetonte me t’birin n’nji pallat t’vjetër n’Parrucë e kur shkuem po
na prit’te me interesim. Ishim 4 vetë. Dy londinezët, unë dhe përkthyesja. I moshuemi dukej shumë i tensionuem mbasi me Anton Logorecin kjenë shokë, studentë e bashkëqytetar
n’shkollën amerikane t’Fultzit. Te dy, shumë t’talentuem, por edhe t’preferuemit e drejtorit
Harry Fultz, i cili i vlersonte për disiplinen, inteligjencen e rezultatet e shkëlqyeshme.
Edhe pse Antoni, si drejtues i seksionit shqip t’BBC-së, dinte gjithshka për Shqypninë,
familjarët e tij, por edhe kush jetoj larg Shqypnisë, nuk arrijshin me besue vuejtjet e
shqyptarëve prej diktaturës. Kur prej pamundësisë kërkojshim prej tyne ndoj ilaçë apo
ndihmë ekonomike, ato nuk mund t’kuptojshin vorfninë ekstreme e pamundësinë tonë me
pasë gjanat elementare. Zotni Qazim-, ju luta t’moshuemit me përvujtni e respekt, – a mundesh me i tregue zojës Doreen se çka ndodhi me ne gjithë kto vjet? Jam mundue me ja përshkrue, por ajo nuk mundet me i kuptue e as me i pranue ato çka i tregoj.
Z.Qazimit ju mbushen sytë e tuj u dridhë prej emocionit, me nji anglishte t’zhdërvjedhët ju drejtue mikes angleze:
E dashtun zojë, përjetuem ferrin. Vendi ishte nji burg i madh. Vrau e përndoqi shqyptari shqyptarin, lene mandej kalvarin e intelektualve, e sidomos per ne që studjuem n’shkolla t’hueja. M’arrestuen e m’masakruen n’hetuesi vetëm se isha student i shkollës amerikane, e jo vetëm mue, por shumicën e studentve edhe pse ishin atdhetar e puntorë t’mirë, ….. – e tuj u dridhë prej emocionit e moshës, vazhdoj: – po t’tregoj nji rast e ke me kuptue mizorinë e sistemit ku jetuem. N’ditët e para t’burgut, n’hetuesi, për me pranue e firmosë çka hetuesi donte, ai përdori metodat ma shtazore që nuk i koncepton truni i njeriut normal. M’patën lidhë për kambësh me litar, me krye poshtë, n’nji pemë n’oborrin e burgut, afër nji grope që t’burgosunit e përdorshin për nevojat përsonale, tuj m’lanë me orë ashtu t’varun. N’ditën tjetër, hetuesit i kishte “punue” mendja ma “hollë”, e urdhnoj me m’varun për kambësh, por jo ma vetëm, po me kufomën e nji priftit katolik që kishte vdek n’tortura nji ditë ma parë. Çka t’tregoj zojë! Na lidhen përball njeni tjetrit e t’gjithë sekrecjonet prej gojës s’kufomës bijshin n’ftyren teme. E nuk i mjaftoj kjo, por e lidhën litarin mbi gropën e fekaleve tuj na lëshue poshtë aq sa prekshim me krye pisdhëkun e nevojtores, – … e ktu trimi ndërpreu tregimin mbasi zoja londineze u trondit e humbi ndjenjat, i ra t’fikët prej çka ndigjoj prej t’masakruemit pa faj, intelektualit shkodranë Qazim Dervishi./ KultPlus.com