29 Janar, 2024 - 5:09 pm
“Hapat”, ekspozita vetjake e piktores së talentuar Dea Tili, njëkohësisht pedagoges së Universitetit të Arteve, vazhdon të presë publikun artdashës në Galerinë FAB. Dea Tili ka sjellë lirizmin e atelieve të artistëve, interiere të ndryshme studiosh apo intimitete familjare.
“Mes atelieve të shkollës, vendit të punës, studiove të artistëve, shfaqen të rrëmujshëm sa edhe të pistë cepat e kavaletave, kompensatat e tavalocave, podiumet, shishet dhe skulpturat e natyrave të qeta. I gjithë ky kaos, i rregullt vetëm në optikën e atyre që e jetojnë përditë atë, për Dean, duket më shumë se një subjekt. Ai është një destinacion i panegociueshëm. Është vendi ku ajo u gatua dhe ku gjeti vetveten”, shkruan kuratori i ekspozitës, Ermir Hoxha, në “Habitat”-in e tij, njëherësh edhe teksti kurativ që shoqëron ekspozitën e Tilit.
Dea Tili ishte më herët pjesëmarrëse në ekspozitën “Udhët V”, ku 22 pedagogë të Fakultetit të Arteve të Bukura pranë Universitetit të Arteve, sollën një ndër ekspozitat më të veçanta në Galerinë FAB(11-20 dhjetor 2023)./atsh/KultPlus.com