Kryeministri Kurti kujton Mon Balajn dhe Arben Xheladinin në 17-vjetorin e vrasjes së tyre

10 Shkurt, 2024 - 5:30 pm

Kryeministri Albin Kurti ka kujtuar sot në 17 vjetorin e vrasjes Mon Balajn dhe Arben Xheladinin.

Kryeminstri Kurti ka thënë se vrasja e tyre ndodhi derisa Lëvizja VV po protestonte për të drejtën e popullit për vetëvendosje, për liri me të drejta, për pavarësi me sovranitet dhe për shtet me demokraci.

Më poshtë gjeni postimin e plotë të Kurtit në facebook:

Atë ditë, e shtunë sikurse sot, 17 vjet më parë, në të drejtën tonë, ecnim drejt ne anëtarët e VETËVENDOSJE!-s, për të drejtën e popullit për vetëvendosje, për liri me të drejta, për pavarësi me sovranitet, për shtet me demokraci. Atë 10 shkurt të vitit 2007, ne ishim në sheshin ku ishte protestuar prej dekadash: në vitin 1968, sikur edhe më pas në vitet 1981, 1988, 1989, 1990, 1991, 1997 dhe 1998. Atë të shtunë, ne ishim me mijëra trupa dhe vullnete të bashkuara për të kundërshtuar paqësisht koncesionet monoetnike të Pakos së Ahtisaarit, që ishte publikuar tetë ditë më parë, më 2 shkurt 2007.

Atë ditë, pasi gjatë ditëve paraprake e patëm kundërshtuar duke e kritikuar nëpër forume dhe debate publike, ne po e kundërshtonim me protestë paqësore decentralizimin që krijonte komuna mbi baza etnike; zonat eksterritoriale që i serbizonin manastiret dhe kishat ortodokse; shuarjen e plotë të Trupave Mbrojtëse të Kosovës; përfshirjen e Kosovës në borxhin e jashtëm të Serbisë; veton jodemokratike të deputetëve me ulëse të garantuara dhe të rezervuara në Kuvendin e Kosovës; dhe vazhdimin e administrimit ndërkombëtar në Kosovë me fuqi ekzekutive mbi ne e pa llogaridhënie ndaj nesh.

Atë ditë, ne i kemi paralajmëruar pasojat e shumta për shoqërinë dhe shtetin e Kosovës, të cilat ndër vite i kemi bartur dhe të cilat ndërkohë janë kthyer në shkaktarë pasojash të tjera. Atë ditë, ne ishim duke protestuar bashkë me simbolin e rezistencës të shqiptarëve të Kosovës, bacën Adem Demaçi, i cili aty deklaroi: “Kjo është rruga jonë, rruga e Kosovës”.

Dhe pikërisht atë ditë, më 10 shkurt 2007, kjo rrugë e jona, rruga e Kosovës, u mbulua nga gazi lotsjellës i hedhur nga policët e atëhershëm ndërkombëtarë të UNMIK-ut. Atë ditë, ajri i sheshit qendror të Prishtinës u mbush me tym, kurse toka e tij u mbush me plumba gome madhësish të ndryshme që u hodhën në drejtim të protestuesve, në shpërputhje me protokollet e përdorimit të tyre në turma. Gjithsej 232 plumba i goditën protestuesit, nga të cilët, dy u vranë, Mon Balaj dhe Arben Xheladini, kurse 80 protestues të tjerë u plagosën rëndë dhe lehtë. Atë ditë, Moni dhe Arbeni ranë dëshmorë në shesh të kryeqytetit, ku sheshazi e bashkë po kërkonim vetëvendosje! Atë ditë, protestuesit i bartën trupat e tyre, kurse nga ajo ditë e deri sot, ne i bartim kujtimet tona për ta, në të cilat rrijnë të ngarkuara të gjitha idealet politike të përbashkëta jo vetëm të asaj dite. Atë ditë dhe në ditët në vijim e deri sot, policët ndërkombëtarë që shtinë mbi protestuesit, u mbrojtën nga imuniteti ndërkombëtar. Por si atë ditë, si sot, si nesër, askush, asnjëherë, nuk mund të ketë imunitet para drejtësisë!

Atë ditë, ne po kërkonim vetëvendosje për popullin e Kosovës, drejtësi e barazi për qytetarët e saj, si dhe republikë të mirëfilltë demokratike si shtet sovran. Atë ditë ne ishim të përcaktuar për vetëvendosje dhe demokraci, këmbëngulës për drejtësi e barazi dhe të bindur për republikë e për integritet.

Pak javë pas asaj dite të 10 shkurtit 2007, ish presidenti finlandez, emisari special i OKB-së, Martti Ahtisaari, në raportin e tij dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon, e që përmbante atë pakon e tij të 2 shkurtit 2007, e shton një faqe hyrëse ku propozon “pavarësi të mbikëqyrur” si status për Kosovën.

Atë ditë, ishte 10 shkurt, sikur sot, kur 17 vite pas po e kujtojmë protestën e drejtë me kërkesat politike të saj dhe dëshmorët e asaj rruge politike që kemi ndjekur dhe e cila na ka sjellur deri këtu. Atë ditë sikur edhe sot, ne qëndrojmë në të drejtën tonë për vetëvendosje, për demokraci dhe për republikë!

Lavdi Mon Balajt dhe Arben Xheladinit, mes përkujtimeve për protestën e 10 shkurtit 2007 dhe mes dëshmorëve të tjerë të kombit!/KultPlus.com

Të ngjajshme