12 Shkurt, 2024 - 5:52 pm
Komuniteti shqiptar në Bosnjë dhe Hercegovinë, i udhëhequr nga kryetarja Elvira Dushi, më 17 shkurt ka organizuar festën e Pavarësisë së Kosovës, ku ndër të tjera do të lexohen edhe poezi në gjuhën shqipe, shkruan KultPlus.
Në festën e pavarësisë, pritet të marrin pjesë edhe autoritetet shtetërore të Bosnjës, intelektual të shumtë, adhurues të artit e lexues të poezisë.
Lajmin e ka bërë të ditur Lulzim Tafa, i cili në këtë festë si i ftuar nderi do t’i lexoj edhe disa poezi në gjuhën shqipe dhe boshnjake.
“Festën e Pavarësisë së Kosovës, 17 shkurtin, këtë vit do ta kaloj në Sarajevë, si i ftuar nderi nga Bashkësia Shqiptare në Bosnje dhe Hercegovinë.
Atje më kanë ftuar që t’i lexoj disa poezi në gjuhën shqipe dhe atë boshnjake. Në festën e pavarësisë, do të marrin pjesë edhe autoritetet shtetërore të Bosnjës dhe intelektual të shumtë, miq të mi, Sarajli të vjetër e të rinj, adhurues të artit e lexues të poezisë.
Komuniteti shqiptar në Sarajevë është mjaftë i organizuar dhe udhëhiqet nga Kryetarja Elvira Dushi, një promovuese e madhe e vlerave tona në Bosnje.
Përndryshe shqiptarët janë komunitet shumë i respektuar në Bosnje dhe Hercegovinë.
Sarajeva feston me Poezi”, ka shkruar Tafa në facebook./ KultPlus.com