Nivelet e ujit në digën e liqenit të Ujmanit aktualisht ndër më të lartat

13 Shkurt, 2024 - 8:44 pm

Ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli, ka deklaruar se nivelet e ujit në digën e liqenit të Ujmanit aktualisht janë ndër më të lartat me 303 milionë metra kub, teksa shtoi se me sasinë e ujit 5 metra nën maksimum, diga qëndron stabile e aty punojnë 21 punëtorë.

Ministrja Rizvanolli, së bashku me zëvendësministrat Getoar Mjeku dhe Nenaq Stanojeviq, sot janë mirëpritur nga kryeshefi i Ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër-Lepenci”, Faruk Mujka , nga ku edhe janë njoftuar më hollësisht për ndërmarrjen në fjalë.

Më poshtë gjendet postimi i plote i Ministres Rizvanolli:

Nivelet e ujit në digën e liqenit të Ujmanit aktualisht janë ndër më të lartat me 303 milionë metra kub. Me sasinë e ujit 5 metra nën maksimum, ajo qëndron stabile e aty punojnë 21 punëtorë.

Së bashku me Zëvendës Ministrat, Geotar Mjeku dhe Nenad Stanojević u mirëpritëm nga Kryeshefi Faruk Mujka, ku diskutuam mbi performancën e ndërmarrjes, sigurinë e digës dhe mundësitë për investime në hidrocentral dhe përgjatë kanalit.

Aty janë vendosur pajisjet për matjen e lëvizjeve seizmike dhe për sigurinë e digës, e po punohet edhe në vendosjen e sensorëve në mënyrë që nivelet e ujit të kontrollohen edhe nga dhoma e kontrollit në Shkabaj. Niveli i rrjedhjeve në trupin e digës dhe stabiliteti i digës aktualisht kontrollohen nga galeria e cila gjendet në 90 metra thellësi.

Ndërmarrja “Ibër Lepenci” e cila menaxhon këtë digë, në vitin 2023 ka siguruar të hyra në vlerë prej 10 milionë euro. Rritje të lartë ka pasur edhe prodhimi i energjisë elektrike nga Hidrocentrali që gjatë vitit 2023 ka shënuar rekord e janë prodhuar 146 mijë megavatëorë energji elektrike, që shënon rritje prej 95% prej vitit paraprak.

Përgjatë vizitës takuam edhe patrollën e policisë tek diga e vogël kompensuese, një patrollë profesionale e multi-etnike që me zell e përkushtim po punojnë për sigurinë e të gjithë qytetarëve./KultPlus.com

Të ngjajshme