14 Shkurt, 2024 - 10:22 am
Dita e Pavarësisë së Republikës së Kosovës edhe këtë vit do të festohet në mes ngjarjeve dhe organizimeve të ndryshme. Por një event krejtësisht i veçantë do të vijë i organizuar nga gazeta online KultPlus me gazetaren e parë ukrainase të strehuar në Kosovë dhe njëherit artisten, Liudmyla Makei e cila do të mbajë një punëtori për artin e pikturës me fëmijët.
Fëmijët së bashku me të pranishmit do të marrin pjesë në këtë përvojë kreative, duke eksploruar botën e mahnitshme të vizatimit dhe duke punuar për të krijuar një projekt të përbashkët që përfaqëson bashkëpunimin midis kulturave ukrainase dhe kosovare.
Ky aktivitet do të zhvillohet më datë 17 shkurt, duke filluar në ora 12:00, në ambientet KultPlus Caffe Gallery.
Organizatorët ftojnë të gjithë fëmijët që të festojnë festën e Pavarësisë së Kosovës në mënyrë kreative dhe të veçantë. / KultPlus.com