15 Shkurt, 2024 - 11:30 pm
Në Galerinë e Artit Tiranë (GAT) është çelur ekspozita vetjake e artistit Toni Milaqi, “Introspection”. Kjo ekspozitë vjen si një rrugëtim në kohë e periudha të ndryshme të jetës së artistit, në faza të ndryshme të krijimtarisë së tij, peizazhe urbane dhe rurale, autoportrete, portrete të rrethit të tij familjar, kompozime, me subjekt politik dhe spiritual.
“Krijoj sepse besoj thellësisht tek e ardhmja dhe në mënyrën time i kundërvihem me trup e shpirt filozofisë së dhunës” – shprehet artisti.
Toni Milaqi studioi për pikturë në Liceun Artistik “Jordan Misja” dhe më pas në Akademinë e Arteve të Shqipërisë (sot Universiteti i Arteve), për pikturë monumentale. Me një karrierë 30-vjeçare, ai ka organizuar disa ekspozita vetjake nëpër botë, duke përfshirë “De la violence et d’autres demons” (2016) në Desmos Galerie, Paris; “The Sleep of Reason Produces Monsters” në Balkan Art Gallery, Xanthi (1999); Astrolavos Gallery, Piraeus (1996) dhe Dimokritos Gallery, Athinë.
GAT ka në program një bisedë me artistin Milaqi, në lidhje me ekspozitën e tij të parë personale në Shqipëri, në të cilën fton artdashësit të bëhen pjesëmarrës, për të eksploruar krijimtarinë e një tjetër artisti shqiptar./atsh/KultPlus.com